Aktorja e njohur e filmit “Lost in Translation” 41-vjeçarja, Scarlett Johansson, ka folur hapur për sfidat me të cilat përballen aktoret në industrinë e filmit, duke deklaruar se “ende është e vështirë”, sepse “pritet shumë më tepër” nga ato dhe se është pothuajse e pamundur të rikthehen në karrierë nëse përfshihen në ndonjë skandal.
Në një intervistë për gazetën The Telegraph, ajo ka thënë: “Mendoj se ende është e vështirë. Ka pasur gjithmonë role të mëdha për gratë në Hollywood. Por standardet janë të ashpra. Në përgjithësi, shumë më tepër pritet nga aktoret femra. Nëse një aktore do të përjetonte, të themi, një varësi të rëndë ose një rënie publike, rruga për t’u rikthyer është pothuajse e pamundur, apo jo? Ndërsa për burrat, është vetëm një kthesë tjetër dramatike në histori, dhe pastaj vjen rikthimi. Për ta, madje mund të duket heroike. Por për gratë, është sikur thjesht të zhdukesh.”
Deklaratat e Johansson vijnë pasi ajo ka folur edhe për vështirësitë e balancimit të punës në Hollywood me rritjen e dy fëmijëve në shtëpi, duke zbuluar se nuk do t’ia dilte pa “dy dado të mrekullueshme”.
Aktorja – nënë e vajzës 11-vjeçare Rose nga ish-bashkëshorti Romain Dauriac dhe djalit katërvjeçar Cosmo me bashkëshortin Colin Jost ka thënë: “Kemi dy dado të mrekullueshme që na ndihmojnë.
Përshëndetje për to. Me të vërtetë, nuk do t’ia dilja pa ndihmën e tyre. Është e vështirë të balancosh dy orare të ngarkuara, por bëjmë aq sa mundemi.”
Scarlett aktualisht është duke promovuar filmin e saj të ri “Eleanor The Great”, ndërsa Jost po punon në sezonin e ri të Saturday Night Live.
Ylli i Jurassic World ka theksuar rëndësinë e “ndarjes” së barrës.
“Fëmijët e mi janë të vegjël, ata zhvillohen me rutinë, prandaj përpiqesh të krijosh sa më shumë rutinë. Ndonjëherë kjo do të thotë se nuk po e kryen çdo obligim – ndihesh fajtor që po humb disa detyra pune për të cilat duhej të ishe përgjegjëse, dhe kur je në punë ndihesh sikur po humb momente të prindërimit për të cilat po ashtu duhej të ishe përgjegjëse. Ajo ndjenjë është gjithmonë aty, por besoj se mund ta zvogëlosh këtë hendek duke ndarë përgjegjësitë sa më shumë me tjetrin dhe duke komunikuar. Nëse keni ndonjë këshillë, jam e hapur për këshilla!”, ka thënë ajo.