Showbiz

Julia Roberts: Burrat ende dominojnë në Hollywood

Julia Roberts

Julia Roberts

Foto: Associated Press

Aktorja Julia Roberts ka thënë se, edhe pas gati katër dekadash në industrinë e filmit, Hollywoodi mbetet i dominuar nga burrat.

Në një intervistë për The Sunday Times, 57-vjeçarja, që luan rolin e Alma Imhoff në filmin e ri të Luca Guadagnino “After the Hunt”, ka thënë se e kupton mirë personazhin e saj, profesoreshë që e ka arritur suksesin në një botë “thellësisht mizogjene”.

E pyetur nëse përvoja e saj i ngjan asaj të Almës, ajo ka thënë se po.

“Eh, është ende super-maskiliste! Mos u gaboni. Por po, çdo grua që punon në një profesion ku shumica janë burra mund ta thotë fjalimin e Almës. E kemi përjetuar të gjitha. Sepse shpesh e gjej veten në një tryezë ku, ndoshta, është vetëm edhe një grua tjetër”, ka thënë Roberts.

Aktorja ka thënë se për të mbijetuar në një ambient të tillë, është dashur të mos ketë frikë.

“Në mjedise të tilla, unë jam pa frikë”, u shpreh ajo.

Ylli i filmit “Pretty Woman” ka treguar gjithashtu pse pranoi të luante në “After the Hunt”, edhe pse nuk ishte e sigurt nëse e pëlqente apo e urrente personazhin e saj.

“Kur u bëra prind, kuptova se nuk mund të pranoja një rol nëse nuk isha plotësisht e përkushtuar ndaj tij. Nëse ndjeja se një këmbë e kisha ende në shtëpi, nuk mund ta bëja. Por këtu më intrigonte fakti që nuk mund të vendosja nëse e doja Almën apo e urreja. Ose nëse e kuptoja. Dhe kjo është një arsye e mirë për të dalë nga rehatia e shtëpisë sime dhe për të punuar, apo jo? Për të shkuar diku ku ndihesh paksa në siklet”, ka thënë ajo.

Roberts, që ka tre fëmijë me bashkëshortin e saj, kinematografin Daniel Moder, binjakët Hazel dhe Phinnaeus, 20 vjeç, dhe djalin Danny, 18  vjeç, ka shtuar se prindërimi e ka ndryshuar mënyrën si e sheh jetën dhe punën.

Ajo ka folur edhe për ndarjen që, sipas disa njerëzve, ekziston sot mes brezave. Ajo ka theksuar se nuk është dakord me këtë ide.

“Ishe në një takim prindërish në shkollë. Të gjithë prindërit ndanin shqetësimet e tyre: fëmijët dëgjojnë muzikë që ata nuk e pëlqejnë, janë shumë në telefon... Disa prindër e kanë më të vështirë se të tjerët. Disa fëmijë kundërshtojnë më shumë”, ka thënë ajo.

Por 57 vjeçja ka treguar edhe një moment që e la pa fjalë.

“Pastaj, u ngrit një nënë fantastike, shumë e bukur dhe plot stil, dhe tha: ‘Unë i dua shumë adoleshentët! Janë krijesat më të pabesueshme në planet’. Dhe kishte të drejtë. Më kujtoi sa shumë humbim në jetë kur mendojmë se dimë më shumë, apo më mirë, për gjithçka”, ka thënë ndër të tjera aktorja.