Showbiz

Julia Roberts ëndërron të rikthehet në teatër

Julia Roberts

Julia Roberts

Foto: Associated Press

Aktorja e mirënjohur e Hollywoodit, Julia Roberts, ka thënë se ëndërron të rikthehet në role teatrale.

Ajo ka thënë se teatrin e ka dashur që kur ishte fëmijë, por nuk ka qenë në podiumin e tij që kur ka luajtur në shfaqjen “Three Days of Rain” bashkë me aktorët Bradley Cooper dhe Paul Rodd në vitin 2006.

“Ka qenë ëndërr e kamotshme e imja që të luaj rol teatral. Dhe tash që fëmijët po na rriten, mendoj se do të kem mundësi më shumë ta bëj”, ka thënë ajo për Deadline.

Kur u pyet nëse do të donte te luante në teatrot në West End të Londrës, ajo u përgjigj pozitivisht.

“Sigurisht që do të thosha po. Mendoj se është një lloj rastësie e këndshme sepse kemi teatro të vogla afër banesës në New York si dhe vende të vogla afër shtëpisë tonë këtu në San Francisco. Mendoj se është shumë qejf të bëhet një shfaqje teatrale në këto vende të vogla. Do të dukej gati si ‘workshop’ apo si të shkoj në shkollë teatrale, por që njerëzit duhet të blejnë bileta për të shkuar aty. Po i kryqëzoj gishtat, do të ishte shumë, shumë mirë”, ka thënë aktorja.

Ajo tutje ka thënë se mendon që teatri është përvojë e pakrahasueshme dhe se e ka dashur shumë që kur ishte 7 vjeçe dhe mendonte me vete se kjo është gjëja më magjike që dikush mund të bëjë në jetë.

Sidoqoftë, Roberts ka bërë të ditur se kthimi në teatër nuk do të ndodhë shpejt, pasi është duke punuar në një projekt të ri filmik me regjisorin Luca Guadagnino pasi ka punuar me të në projektin e sapo lansuar “After The Hunt”.

“Kjo është ajo që di për Lucan, ai ka shumë ide. Ky është filmi në të cilin kam filluar punën më së shpejti në 30 vjet të karrierës time. Më së shpejti”, ka thënë ylli.