Samara Joy tani mund ta quaj veten një artiste e shpërblyer me “Grammy”.
Gjatë edicionit të 65-të të ceremonisë prestigjioze të ndarjes së çmimeve muzikore, ylli i muzikës pop, Olivia Rodrigo, ia prezantoi këngëtares 23-vjeçare trofeun “Artistja më e mirë e re”.
“Kam gjithë jetën që këndoj. Faleminderit shumë për këtë çmim, faleminderit të gjithëve që e kanë dëgjuar muzikën time dhe më kanë përkrahur. Të gjithë ju që jeni të pranishëm këtu në sallë më keni frymëzuar të jem një artiste autentike, prandaj është një nder i veçantë që po vlerësohem për origjinalitetin tim. Jam shumë mirënjohëse për gjithçka”, tha Joy me ta pranuar çmimin e saj në skenë.
Përveç fitimit të çmimit mjaft të rëndësishëm “Aartisti më i mire i ri”, një kategori me konkurrencë të fortë ku sivjet të nominuar ishin nëntë artistë të zhanreve të ndryshme, Joy, po ashtu e fitoi shpërblimin “Albumin më i mirë xhazit” për albumin e saj të dytë, “Linger Awhile”. Ky konsiderohet një sukses i jashtëzakonshëm duke pasur parasysh se ajo filloi të këndonte jazz vetëm pesë apo gjashtë vjet më parë.
Samara Joy u lind në vitin 1999 dhe u rrit në sektorin “Castle Hill” të Bronxit. Ajo e ndoqi shkollën e mesme “Fordham High School” ku studio për art. Ndërsa ishte atje, ajo performoi së bashku me një grup të muzikës jazz dhe e fitoi trofeun “Vokalistja më e mire” në konkursin “Essentially Ellington” të Universitetit “Fordham” në Qendrën për Arte Performuese, “Lincoln Center”.
Gjyshërit e këngëtares, Elder Goldëire dhe Ruth MekLendon, ishin muzikantë që e themeluan grupin e muzikës kishtare të Filadelfisë, “The Savettes”. Babai i saj, Antonio, është gjithashtu një këngëtar i cili ka interpretuar si bas-kitarist gjatë turneut të këngëtarit, Andraé Crouch.
Muzika e zhanrit ‘soul’ dhe ‘blues’ ishin gjëja kryesore që dëgjohej në shtëpinë e Samaras kur ajo ishte e vogël.
Joy ka studiuar për kanto me fokus zhanrin jazz. Gjatë kohës së saj në universitet, ajo fitoi njohuri për këtë lloj muzike përmes shokëve të klasës dhe në vitin 2020 u emërua fituese e bursës “Ella Fitzgerald”, çka ia lejoi ta ndjekë shkollimin falas.
Pasi një video e Samaras duke kënduar me Pete Malinvernin, udhëheqës i studimeve të xhazit në “Purchase”, u bë virale, ajo nisi një fushatë “GoFundMe” për mbledhjen e të hollave me qëllim të financimit të albumit të saj të parë të vetëtitulluar, “Samara Joy”, i cili u publikua në vitin 2021.
Kolegji ishte i rëndësishëm për Joyn pasi e ka ndihmuar t’i gjejë frymëzimet në aspektin vokal dhe ajo vlerëson artistët, Lalah Hathaway, Stevie Wonder dhe grupin e muzikë kishtare, “Clark Sisters”, si disa nga ndikimet e saj përveç yjeve tjerë të mëdhenj të zhanrit jazz.
Megjithëse e re në skenën muzikore, Samara tashmë numëron një numër të madh adhuruesish, përfshirë këtu disa personalitete të njohura si, Timbaland dhe Regina King. Në dhjetor të vitit të kaluar, Timbaland e ndau një video të saj në rrjetin social Instagram ku e quajti këndimin e saj si “të përsosur”.