Arooj Aftab u bë fituesja e parë pakistaneze e çmimit “Grammy”, kur mori trofeun për “Performancën më të mirë të muzikës globale” për këngën e saj “Mohabbat” në vitin 2022. Një vit më vonë, aktori dhe këngëtari, Diljit Dosanjh, pushtoi skenën e mbushur me tym të festivalit “Coachella” në Kaliforninë Jugore, duke u bërë artisti i parë nga shteti indian i Punjabit, pranë kufirit me Pakistanin – një rajon i njohur për kulturën e tij muzikore të gjallë – që performon në këtë ngjarje.
Ndërsa në gusht të këtij viti, artistja indiano-amerikane, Avara, u shtri mbi petale trëndafili në një sallë koncertesh në Brooklyn për performancën hapëse të turneut të saj të parë muzikor. Fansat u mblodhën rreth skenës për ta parë artisten, e cila ka fituar mbi 250 mijë dëgjues të rinj mujorë në “Spotify” që nga nëntori i vitit 2024 — një rritje prej më shumë se 250 për qind.
“Kjo është ajo që të gjithë duam të bëjmë. Duam të kemi një ndikim dhe t’i bëjmë njerëzit të ndihen të veçantë. Dhe, po, mendoj se ishte diçka shumë e bukur – thjesht të dëgjoja fjalët që më thoshin fansat pas koncertit. Kishte njerëz që kishin fluturuar nga vende të ndryshme të botës posaçërisht për të qenë aty. Ishte një vajzë që më tha se projekti im i fundit e kishte ndihmuar të kalonte një periudhë shumë të vështirë në jetën e saj. Dhe kjo është arsyeja pse unë e bëj këtë punë. Ishte diçka vërtetë e mrekullueshme”.
Pas sukseseve të zhanreve Afrobeats, K-pop dhe muzikës latine, tani këngët me ritme nga Azia Jugore duke se janë trendi më i ri global, që po fitojnë fansa në mbarë botën. Në prill të këtij viti, kompania “Warner Music Group” lansoi “5 Junction Records”, një shtëpi diskografike e dedikuar për promovimin e artistëve që kultivojnë këtë lloj muzike, në Amerikën e Veriut.
Avara, 25-vjeçare, thotë se fitoi ndjekës në rrjetet sociale duke postuar video që ndërthurin muzikën e saj R&B dhe soul, me elemente nga trajnimi i saj në muzikën klasike indiane dhe vokalin perëndimor.
“Mendoj se në fillim po përpiqesha të bashkoja kulturat në një mënyrë që dukej e sforcuar, e dini? Sepse kisha këtë ide: ‘Jam indiane, jam me ngjyrë, duhet të bëj këtë gjënë e përzierjes së kulturave, apo diçka të tillë. Duhet ta përfaqësoj kulturën time në këtë mënyrë’. Por sa më shumë që jam rritur si artiste, aq më shumë kam kuptuar se përfaqësimi nuk ka vetëm një formë. Mund të jetë në mënyrën si vishem, në njerëzit që përfshij në projektet e mia, apo në gjërat që ndaj me ndjekësit në rrjetet sociale. Nuk duhet patjetër të këndoj në tre gjuhë të ndryshme ose të përdor shumë instrumente tradicionale. Kjo është një mënyrë për ta bërë, por nëse ndihesh e sforcuar, njerëzit e kuptojnë këtë. Dhe mendoj se përfaqësimi është më shumë një çështje thelbi.”
Në Marietta, Georgia, ajo u rrit duke mos u ndier asnjëherë plotësisht pjesë e komunitetit aziatik me ngjyrë, por as pjesë e komunitetit amerikan.
Albumi i saj debutues, “A Softer Place to Land”, nderon komunitetin artistik që e ka formuar gjatë dy viteve të fundit. Projekti i saj i ardhshëm, “MARA”, flet për rikthimin e identitetit të saj si “vajzë e re me ngjyrë”, që rritet duke balancuar trashëgiminë e prindërve me kulturën e vendit ku është rritur.
“Fakti që kishte kaq shumë njerëz me ngjyrë në audiencë, më bën jashtëzakonisht të lumtur. Mendoj se një nga qëllimet më të mëdha – sa i përket komunitetit dhe fansave – është t’i bëjmë njerëzit të ndihen të sigurt dhe të parë. Të kenë një hapësirë ku ndihen se i përkasin atij vendi. Sepse unë ndihesha pikërisht kështu, sikur nuk i ngjaja askujt tjetër, sikur nuk kuptohesha. Kështu që të kem një hapësirë si koncerti im, ku njerëzit ndihen të parë dhe të kuptuar, më bën të qaj nga emocionet. Është diçka kaq e bukur”.
Avara e përshkruan albumin e ardhshëm si një përzierje të të gjitha kulturave që e kanë inspiruar gjatë 25 vjetëve të jetës, duke ndërthurur meloditë vokale indiane me kitarën spanjolle, zhanrin reggae dhe stile të tjera muzikore.
“Po përpiqem të krijoj diçka krejtësisht ndryshe,” tha ajo. “Po përpiqem të krijoj një zhanër të ri, të frymëzuar nga të gjitha ndikimet që kam pasur që e vogël”.