Showbiz

Sacha Baron Cohen tregon se ka përdorur Ozempic për t’u transformuar fizikisht për rolin e ri

Sacha Baron Cohen

Sacha Baron Cohen

Foto: Associated Press

Aktori britanik Sacha Baron Cohen ka zbuluar se ka përdorur ilaçin e diabetit, Ozempic, së bashku me angazhimin e një kuzhinieri privat dhe të një trajneri personal, për të arritur formën e tij të re fizike për rolin e Mephistos, një personazh negativ në serinë e re të filmave të Marvelit, “Ironheart”.

Në moshën 53-vjeçare, ai është transformuar ndjeshëm për këtë rol dhe nuk e ka mbajtur të fshehtë se si e ka bërë, ka raportuar FemaleFirst.

“Disa të famshëm përdorin Ozempic, disa kuzhinierë privatë, disa trajnerë personalë. Unë i përdora të tria”, ka shkruar në InstaStory, Baron Cohen.
Ai shtoi me humor se kjo gjë nuk është me efekte nga AI (ineligjenca arificale).

“Jam me të vërtetë mjaft egoist sa për ta bërë këtë. Po prezantoj personazhin tim të ri: burrë në mes të moshës që zëvendësoi birrën me proteinat”, ka thënë aktori.

Për të nisur transformimin, Baron Cohen kërkoi ndihmë nga aktori Matthew McConaughey, i cili i siguroi kontaktin me trajnerin Alfonso Moretti.

“E thirra Matthewn dhe i kërkova ndihmë. Pasi më pyeti kush isha dhe si e kisha gjetur numrin e tij, më në fund më dha kontaktin e Alfonsos”, ka thënë Baron Cohen për Men’s Fitness Uk.

Përfaqësuesit e Marvelit kishin menduar fillimisht që Baron Cohenit t’i vendosnin muskuj prostetikë, por trajneri dhe aktori arritën formën e kërkuar në një kohë shumë të shkurtër.

“Për hir të së vërtetës, Sacha nuk ishte jashtë forme. Por vizualisht, nuk dukej si në formë. Dukej më shumë si një vijë e drejtë. Studioja madje po mendonte për muskuj prostetikë. Ka formë të mirë të muskujve, vendin ku ngjiten fibrat muskulore, gjatësinë e lidhjeve, ishte si një atlet i fshehur. Por kishim shumë pak kohë për të arritur pamjen që studioja kërkonte”, ka thënë Moretti.

Përmes këtij procesi, qëndrimi i aktorit ndaj stërvitjes ka ndryshuar ndjeshëm.

"Tani besoj se vetëm 20 deri në 30 minuta aktivitet në ditë mund të bëjnë ndryshim – dhe është diçka që të gjithë mund ta fusin në rutinën e tyre, sidomos të famshmit që kanë asistentë personalë që bëjnë punët e mërzitshme si blerjet apo pjesëmarrja në varrime të miqve. Pra, s’ka justifikime!”, ka thënë ai.