Aktori, Channing Tatum, ka përfunduar në spital për t’iu nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale, pasi ka pësuar një dëmtim serioz në shpatull.
45-vjeçi ka bërë të ditur se shpatulla i ishte zhvendosur dhe se periudha e rikuperimit do të jetë e vështirë.
Ai ka ndarë në Instagram Story disa fotografi të shpatullës së dëmtuar. Po ashtu, Tatum ka publikuar edhe një fotografi bardh e zi nga shtrati i spitalit, i veshur me rroba spitali, ka raportuar FemaleFirst.
“Edhe një ditë tjetër. Edhe një sfidë tjetër. Kjo do të jetë e vështirë. Por ç’të bëhet. Hajde ta përballojmë”, ka shkruar ai.
Aktori nuk ka treguar se kur ka ndodhur saktësisht dëmtimi dhe nuk dihet nëse ai lidhet me xhirimet e filmit “Avengers: Doomsday”, ku Tatum u lëndua gjatë verës së kaluar.
Në një intervistë për Variety, të publikuar në shtator të vitit 2025, ai pati zbuluar se nuk po punonte dhe se po përballej me një rikuperim të gjatë.
“Nuk ka të bëjë me dhimbjen që ndiej në atë moment. Ka të bëjë me faktin që e di se nuk mund ta kthej mbrapa. Tani e di se si do të duken gjashtë muajt e ardhshëm të jetës sime”, pati thënë ai.
Tatum ka pranuar gjithashtu se po e ka të vështirë të pajtohet me procesin e plakjes.
“E urrej të plakem. Në mendjen time jam fjalë për fjalë 30 vjeç, ose 26, po të jem i sinqertë”, ka thënë ai.
Channing Tatum, i cili do të rikthehet në rolin e Gambit në “Avengers: Doomsday”, nuk është i vetmi aktor që është lënduar gjatë xhirimeve të filmit të ri të “Marvelit”.
Aktori Alan Cumming, i cili luan Nightcrawler, ka zbuluar se aksidentalisht e ka lënduar aktorin Pedro Pascal gjatë xhirimeve.
Duke folur në emisionin Jimmy Kimmel Live!, ai ka treguar se në skenën e tij të parë me Pascal, aktori kishte pësuar një dëmtim në qafë.
“Të gjithë aktorët e X-Men janë në film. Ajo që ishte qesharake është se në skenën time të parë me Pedron, ai e lëndoi qafën dhe u desh të shkonte në shtëpi. Unë e ‘theva’ Pedron”, ka thënë Cumming me humor.