Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Nipi i Michael Jacksonit i quan keqkuptime pretendimet se këngëtari “donte të bëhej i bardhë”

Jaafar Jackson dhe Michael Jackson

Jaafar Jackson dhe Michael Jackson

Foto: Associated Press

Aktori, Jaafar Jackson, ka mohuar pretendimet se xhaxhai i tij, këngëtari i ndjerë Michael Jackson, “donte të bëhej i bardhë”, duke i quajtur ato keqkuptim të madh.

29-vjeçari, i cili e portretizon legjendën e pop-it në filmin biografik “Michael”, ka thënë se projekti do të ndihmojë publikun të kuptojë më mirë ndikimin që pati në jetën e artistit sëmundja e lëkurës Vitiligo, një çrregullim që shkakton humbjen e pigmentit të lëkurës dhe shfaqjen e njollave të bardha, ka raportuar FemaleFirst.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Do të thosha se keqkuptimi më i madh është se ai donte të ishte i bardhë. Kjo është një keqkuptim i madh dhe ky film ju jep një kuptim më të qartë për këtë, sepse sëmundja, Vitiligo, ka pasur rol në jetën e tij dhe jo shumë njerëz e kuptojnë vërtet se çfarë është dhe ai po përballej me këtë që në moshë të re”, ka thënë Jaafar në një intervistë për Extra.

Michael Jackson, i cili ka vdekur në moshën 50-vjeçare në vitin 2009, pati reaguar edhe vetë ndaj këtyre pretendimeve.

“Është diçka që nuk mund ta kontrolloj. Kur njerëzit shpikin histori sikur unë nuk dua të jem ai që jam, kjo më lëndon. Është një problem për mua. Nuk mund ta kontrolloj. Po çfarë ndodh me miliona njerëz që rrinë në diell për t’u nxirë, për t’u bërë ndryshe nga çfarë janë? Askush nuk thotë asgjë për këtë”, pati thënë këngëtari i hitit “Bad” në një intervistë me Oprah Winfreyn, në vitin 1993.

Ndërkohë, Jaafar Jackson ka bërë debutimin e tij në kinema në këtë film të drejtuar nga Antoine Fuqua. Filmi përfshin periudhën nga fëmijëria e Michaelit në grupin muzikor Jackson 5 deri në fillimet e karrierës solo.

Jaafar, djali i Jermaine Jackson, e ka cilësuar këtë rol si një moment përcaktues në jetën e tij.

“Nuk do të përjetoj më diçka të tillë, të jesh për herë të parë në një set filmik, por edhe të luaj rolin e xhaxhait tim Michael, me gjithë përgatitjen që kam bërë, dhe pastaj ta shohësh reagimin e njerëzve… Nuk mund të jem më i lumtur”, ka theksuar ai gjatë premierës së filmit në Hollywood ditë më parë.

Ai ka thënë se shpreson që publiku të fitojë një kuptim më të thellë për artistin përmes filmit.

“Shpresoj që publiku të largohet me një kuptim më të vërtetë dhe më të thellë për Michael si njeri, jo vetëm për performancat e mëdha që njohim, por edhe për ato momente të vogla, pas dyerve të mbyllura, që të lejojnë të kuptosh mendjen dhe shpirtin e tij”, ka thënë aktori.