Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Si ishte Michael Jackson si baba, rrëfen djali i tij

Djali i Michael Jacksonit, Prince Jackson.

Djali i Michael Jacksonit, Prince Jackson.

Foto: Associated Press

Prince Jackson ka ndarë kujtime nga rritja me babanë e tij, Michael Jackson, duke treguar si ishte ikona e muzikës pop në jetën familjare dhe rolin e tij si baba.

Djali i madh i “Mbretit të Popit”, tani 29 vjeç, i cili është përfshirë edhe në prodhimin e filmit biografik “Michael”, ka treguar për jetën familjare para vdekjes së këngëtarit në vitin 2009, në moshën 50-vjeçare.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Do të doja shumë të kem fëmijë dhe, e dini, të marr shembull nga mënyra se si ai ishte si baba, ai gjithmonë ishte në të njëjtin nivel me ne, në një farë mënyre”, ka thënë ai në emisionin australian “Sunrise”, ka raportuar FemaleFirst.

Prince ka shpjeguar se, ndonëse Michael Jackson dëshironte që fëmijët e tij të trajtoheshin si “të rritur”, ai gjithashtu kishte një natyrë shumë lozonjare dhe i pëlqente të bënte shaka.

“Kur luante me ne, ai luante vërtet me ne. Ulej poshtë dhe luante me lodrat, shpikte histori…Ai kishte një natyrë shumë fëmijërore që ishte shumë argëtuese, gjithmonë bënte shaka me njerëzit”, ka thënë Prince.

Ndërkohë, Prince, i cili e përshkroi stilin e prindërimit të babait si “të mrekullueshëm”, pranoi se shumë nga ajo që ai mendonte se ishte “normale” në fëmijëri, në fakt nuk është e tillë për shumicën as sot.

“Sa më shumë jam rritur, kam kuptuar se shumë gjëra që për mua duken normale, nuk janë normale. Të rritesh në ‘Neverland’ me vëllezërit dhe motrat dhe babanë tonë, për ne ishte thjesht të kalonim kohë si familje, por me elefantë dhe gjirafa që lëviznin në sfond. Kalonim shumë kohë duke luajtur lojëra tavoline, duke lexuar libra, duke parë filma. Ishte vërtet magjike. Ndihej si ‘Disneylandi’ yt personal”, ka treguar Prince.

Filmi biografik “Michael”, ku këngëtari interpretohet nga nipi i tij Jaafar Jackson, përfundon në vitet 1980, përpara akuzave ndaj këngëtarit për abuzim seksual me fëmijë.

Regjisori i dokumentarit “Leaving Neverland”, Dan Reed, ka kritikuar filmin për shmangien e kësaj pjese të historisë.

“Pse po i shmangen kësaj teme? Dihet që Jackson kalonte shumë kohë me djem të vegjël, madje flinte me ta dhe mbyllte derën, kjo nuk është e diskutueshme, dhe vetëm kjo, nëse dikush do të bënte një akuzë, ndoshta do të mjaftonte për një dënim në gjykatë për abuzim seksual me të mitur. Por me Jackson, duket se asgjë nga këto nuk ka rëndësi. Dhe as familja e tij, as skenaristi, as të tjerët nuk kanë dhënë një version tjetër, përveç idesë se ai nuk kishte fëmijëri dhe për këtë arsye kishte nevojë të kalonte natën me fëmijë, gjë që nuk ka kuptim”, ka thënë ai për Variety.

Pavarësisht kritikave, filmi “Michael” ka pasur sukses në arkat filmike. Sipas Dan Reed, kjo lidhet me mitin që e rrethon figurën e Michael Jackson.

“Jackson është një mit amerikan, përveçse një person real. Ai është shndërruar në diçka shumë më të madhe se vetja. Kur ndodh kjo, nuk ka më rëndësi kush ishte në të vërtetë personi, sepse ai kthehet në diçka që i përket kulturës”, ka thënë ai.