Showbiz

Rihanna krijon “ndasi” në mes fansave pas publikimit të videoklipit të parë pas tre vitesh

Rihanna

Rihanna

Rihanna është rikthyer në muzikë pas tre vjetësh, por reagimet e adhuruesve kanë qenë të përziera.

Kënga e re e saj “Friend of Mine” është pjesë e kolonës zanore të filmit të ardhshëm “The Smurfs”, ku këngëtarja gjithashtu huazon zërin për personazhin Smurfette. Filmi do të shfaqet më 18 korrik në Mbretërinë e Bashkuar, ka shkruar The Independent.

Rihanna shfaqet shkurtimisht edhe në videoklip, duke ecur mes kërpudhave gjigante me një lule të madhe në dorë, përpara se të zhduket në një kasolle magjike.

Ky është publikimi i saj i parë që nga kënga për filmin “Black Panther: Wakanda Forever” në vitin 2022.

Albumi i fundit i plotë i Rihannës mbetet “Anti” nga viti 2016, me hitet “Work” dhe “Kiss It Better”.

Gjatë këtyre viteve, ajo është fokusuar në bizneset e saj “Fenty Beauty”, “Fenty Hair” dhe “Savage X Fenty”.

Megjithatë, rikthimi nuk i kënaqi të gjithë fansat.

“Sapo u zgjova dhe dëgjova këngën e re të Rihannës dhe... nuk më pëlqeu. Kush e aprovoi këtë?”, shkroi një komentues në rrjete sociale. Një tjetër shtoi se “s’mund të besoj që kam pritur për këtë.”

Një fans tjetër ishte edhe më i drejtpërdrejtë.

“Navy (emri i fansave të saj) s’po ka më album të ri për të dëgjuar. Kjo ishte e gjitha”, ka shkruar ai.

Megjithatë, kishte edhe nga ata që e mbrojtën projektin.

“Po vendosin diçka nëpër këngët e fëmijëve që të bën t’i dëgjosh pa ndalur. Qe dy orë e kam në kokë këtë  këngë”, ka shkruar një përdorues në rrjete sociale.

Një tjetër tha me humor.

“Ka kaluar shumë kohë! Kjo këngë është diçka e vogël. Por zëri i saj ende tingëllon si magji”.

Rihanna dhe partneri i saj, reperi A$AP Rocky, kanë dy djem, RZA (3 vjeç) dhe Riot Rose (1 vjeç), dhe së fundmi ajo ka konfirmuar se është në pritje të fëmijës së tretë.

Në muajin qershor të vitit 2024, Rihanna konfirmoi se po “e fillon nga e para” punën për albumin e nëntë.

“Muzika për mua tani është si një zbulim i ri. Jam gati të kthehem në studio. Dua të dëgjoj ato që kam bërë më parë me një perspektivë të re dhe të shoh çfarë më përshtatet ende”, pati thënë ajo për Entertainment Tonight.