Katërmbëdhjetë vjet pas vdekjes tragjike të Amy Winehouse, prindërit e saj janë ribashkuar për t’i bërë homazhe këngëtares në varrin e saj në Londër.
Mitch Winehouse, 74 vjeç, dhe ish-bashkëshortja e tij Janis, 70 vjeçe, u panë të mërkurën (23 korrik 2025) duke vizituar varrin e vajzës së tyre në varrezat Edgwarebury Cemetery në veri të Londrës. Ata ishin të shoqëruar nga familjarë, miq dhe adhurues të këngëtares, të cilët lanë lule dhe mesazhe pranë varrit të saj.

Sipas Daily Mail, Janis përdorte një ndihmës për ecje, ndërsa Mitch mbështetej në një shkop.

Çifti, që ishte ndarë që në vitin 1993, kur Winehouse ishte vetëm nëntë vjeç, kanë ruajtur një marrëdhënie të afërt edhe pas vdekjes së vajzës së tyre.
Winheouse vdiq më 23 korrik 2011, në moshën 27-vjeçare. Pas dy hetimeve zyrtare, vdekja e saj u cilësua si aksidentale, e shkaktuar nga helmimi me alkool. Ajo kishte luftuar për vite të tëra me varësinë ndaj alkoolit, duke u përballur me ankth dhe kriza të tërheqjes nga substancat, si dhe me tentativa të shumta rehabilitimi.
Këngëtarja është varrosur pranë gjyshes së saj, Cynthia Levy.
Mitch dhe Janis njihen për përpjekjet e shumta që bënë për ta ndihmuar vajzën e tyre gjatë periudhave të vështira. Ata u munduan shumë për të ndaluar përkeqësimin e varësisë së saj.
Pas vdekjes së yllit, Mitch së bashku me bashkëshorten e tij të dytë, Jane, dhe Janis, themeluan “Amy Winehouse Foundation”, një fondacion që ofron mbështetje për të rinjtë e prekur nga abuzimi me substanca narkotike.
Karriera muzikore e Winehouses ishte e shkurtër, por jashtëzakonisht e suksesshme. Albumi i saj “Back to Black” (2006) i dha famë ndërkombëtare dhe pesë çmime “Grammy”, përfshirë çmimet “Incizimi i vitit” dhe “ Kënga e vitit” për këngën “Rehab”.
Në vitin 2023 u publikua filmi biografik për jetën e saj, ku rolin e yllit e luajti aktorja Marisa Abela.
Megjithatë, filmi u prit me kritika nga disa miq të këngëtares, përfshirë këngëtaren Neon Hitch, e cila e quajti filmin “të turpshëm” dhe “të pakuptimtë”. Po ashtu, shumë njerëz e kritikuan Mitchin për vendimin që apartamenti në Camden, ku jetoi ylli të përdorej si vend xhirimi për disa nga skenat më të errëta të filmit.
Winehouse kishte jetuar në atë apartament deri në vitin 2010, para se të blinte një shtëpi të re po në Camden. Pas vdekjes së saj, apartamenti mbeti në pronësi të babait të saj.
Amy Winehouse lindi më 14 shtator 1983 në Londër. Ajo nisi karrierën si adoleshente, duke u bërë pjesë e National Youth Jazz Orchestra që në moshën 17-vjeçare. Në vitin 2002, nënshkroi kontratë me kompaninë menaxheriale “19 Management”, ndërsa në vitin 2003 publikoi albumin debutues “Frank”, i cili u vlerësua nga kritika dhe i solli çmimin “Ivor Novello” për këngën “Stronger Than Me”.
Me “Back to Black”, Amy u bë gruaja e parë britanike që fitoi pesë çmime “Grammy” në një natë të vetme, një arritje historike që e shndërroi në ikonë të muzikës moderne.
Traileri i filmit "Back To Black":