Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Babai i Amy Winehouse humb betejën ligjore për shitjen në ankand të gjërave të së bijës

Amy Winehouse

Amy Winehouse

Foto: Associated Press

Mitch Winehouse, babai i këngëtares së ndjerë, Amy Winehouse, ka humbur betejën ligjore në Gjykatën e Lartë në Britani, lidhur me shitjen në ankand të disa prej gjërave personale të vajzës së tij.

Ai kishte paditur dy mike të Amyt, Naomi Parry dhe Catriona Gourlay, duke i akuzuar se kishin përfituar financiarisht nga shitja e këtyre gjërave në ankande në SHBA, ka raportuar BBC.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Avokatët e Mitch Winehouse kanë pretenduar në gjykatë se dy gratë “i kishin fshehur qëllimisht shitjet” dhe se ai ishte detyruar të ndërmerrte veprime ligjore pasi kjo ishte “e vetmja mënyrë për të marrë përgjigje”.

Por gjyqtarja Sarah Clarke ka vendosur kundër tij, duke theksuar se ai “mund të kishte zbuluar se cilat sende ishin në zotërim të të paditurave, nëse do të kishte treguar kujdes të arsyeshëm”.

Në vendimin e saj, gjyqtarja u shpreh se Mitch Winehouse është “i prirur në mënyrë të kuptueshme, ndaj kujtdo që ai mendon se po shfrytëzon kujtimin e Amyt… por gjithashtu, sipas gjykimit tim, ai është po aq i prirur për të siguruar që familja të vazhdojë të përfitojë financiarisht”.

Ajo ka shtuar gjithashtu se ai “ka prirje të dominojë njerëzit dhe situatat”, duke e cilësuar si një “dëshmitar jo të besueshëm”, dhe ka theksuar se ai e kishte ngritur padinë “pa u munduar të verifikonte deri pak para gjyqit nëse kishte vërtet një bazë ligjore për pretendimet e tij”.

Nga ana tjetër, avokatët e Naomi Parry dhe Catriona Gourlay kanë argumentuar se gjërat në fjalë ose u ishin dhuruar atyre nga vetë Amy, ose tashmë ishin në pronësi të tyre.

Gjyqtarja e ka përshkruar se këngëtarja “shpesh u jepte rrobat e saj miqve të ngushtë, pasi nuk dëshironte të shihej duke veshur të njëjtën veshje më shumë se një herë në publik” dhe se ajo kishte “më shumë sende sesa mund të përdorte apo ruante ndonjëherë”.

Ajo ka theksuar gjithashtu “bujarinë e jashtëzakonshme” të artistes, duke vlerësuar se ishte në përputhje me karakterin e saj të dhuronte sende pa u penduar më pas.

“Unë kam qëndruar pranë Amyt si mike, bashkëpunëtore kreative dhe dizajnere e kostumeve të saj. Ajo që ndamë bashkë ishte ndërtuar mbi besim, besnikëri dhe dashuri të sinqertë për punën. Tani për tani, fokusi im është të rindërtoj jetën dhe karrierën time, si dhe të mbroj emrin tim, punën që kam krijuar me Amyn dhe trashëgiminë e saj”, ka thënë Parry në gjykatë.

Amy Winehouse, fituese e çmimeve “Grammy”, ishte e njohur për hitet si “Rehab” dhe “Back to Black”. Ajo ka vdekur në vitin 2011, në moshën 27-vjeçare.