Gjashtë vjet pasi që filmi “Frozen” i pushtoi zemrat e vogla dhe të mëdha në të gjithë botën, Elsa dhe Anna janë rikthyer, ndërsa pas trilerit kanë mbërritur dy video të cilat paralajmërojnë këngë të reja.
Muzika nga origjinali gjithashtu e pati pushtuar tërë botën, ndërsa kënga “Let It Go” i fitoi të gjitha çmimet kryesore (përfshirë edhe Oscarin), kështu që përpara vazhdimit Frozen 2 është një detyrë e madhe: a mund ta arrijnë këngët të njëjtin popullaritet apo edhe më të madh? Në Disney janë përpjekur të sigurohen për këtë, sepse i angazhuan të njëjtët tekstshkrues Kristen Anderson-Lopez dhe Robert Lopez dhe kompozitorin Christophe Beck.
Janë publikuar dy video dhe një listë e plotë e këngëve e cila do ta përbëjë soundtrackun e zërit të animuar.
Idina Menzel ia ka huazuar sërish zërin Elsës dhe atë do ta dëgjojmë në këngët origjinale, ndërsa Kristen Bell (Anna) do të këndojë gjithashtu në disa këngë, shkruan KOHA Ditore. Do të shfaqet edhe Evan Rachel Wood e cila ia ka huazuar zërin e nënës së Elsës dhe Annës.
Frozen 2 vazhdon aty ku ka mbetur filmi i mëparshëm. Elsa, Anna, Kristoff, Olaf dhe Sven e jetojnë një jetë relativisht të qetë ndërsa mbretëria është më në fund në paqe nën sundimin e Elsës. Por një forcë e panjohur e kërcënon përsëri Arendellën dhe këtë herë çelësi është në fuqitë e Elsës, ndërsa për ta shpëtuar mbretërinë ekipi ynë duhet të zbulojë se pse Elsa i ka fuqitë e saj...
Frozen 2 do të mbërrijë në kinema më 21 nëntor.