Për kënaqësinë e audiencës më të re, si dhe adhuruesve të rritur të filmit të animuar, vazhdimi i hitit "Frozen" po vjen së shpejti në kinema, ndërsa traileri i ri zbulon se për çfarë aventurash bëhet fjalë.
Në filmin e preferuar të animuar, motrat Elsa dhe Anna ribashkohen me shokun e tyre Kriostoff. Aventura e re tani e çon treshen larg nga mbretëria Arendelle, ndërsa atyre do t'i bashkohet njeriu i dëborës Olaf dhe dreri Sven.

Në trailerin e ri, mund të shohim se si filmi kthehet në të kaluarën kur Elsa dhe Anna si të vogla dëgjonin tregime magjike për pyllin e magjepsur. Pastaj Elsa thotë se e "dëgjon një zë" i cili e ndjekë atë, dhe për ta shpëtuar mbretërinë, ajo duhet të zbulojë se kush po e thërret, shkruan KOHA Ditore. Duke u nisur në aventurën e re, motrat e famshme përfundojnë në pyllin e magjepsur për të cilin kishin dëgjuar si vajza të vogla.
"Frozen 2" i kthen të gjitha personazhet nga filmi i mëparshëm, të cilëve zërat ua huazuan Idina Menzel, Kristen Bell, Josh Gad dhe Jonathan Groff. Regjinë e vazhdimit të hitit të animuar e bëjnë Christopher Buck dhe Jennifer Lee.

T’ju rikujtojmë, pjesa e parë e "Frozen" i fitoi mbi 1 miliard dollarë në të gjithë botën dhe fitoi Oscar për filmin më të mirë të animuar dhe këngën më të mirë origjinale “Let It Go”.
Premiera e "Frozen 2" planifikohet për 22 nëntor.