Showbiz

Pitbull i vlerëson adhuruesit që vishen si ai

Pitbull në koncert në Birtani

Pitbull në koncert në Birtani

Foto: Associated Press

Artisti i njohur, Pitbull, është i mahnitur nga popullariteti që ka në Britani.

Në një intervistë për BBC, ai ka thënë se ndjehet “shumë, shumë i lumtur” kur sheh mijëra njerëz të veshur si ai dhe që këndojnë çdo fjalë të këngëve të tij në koncert.

Në muajt e fundit, falë rrjeteve sociale, është kthyer në zakon që adhuruesit të shkojnë në koncertet e Pitbullit të veshur me kostum, syze të errëta dhe kepele që imiton atë si tullac.
“Sa herë jam në koncert, u them: ‘Kur vendosni kapuçin që më ngjan mua, shpresoj të jeni gati të kaloni kohën më të mirë të jetës tuaj’, sepse kjo shkon përtej muzikës”, ka thënë ai.

Pas një pritjeje të jashtëzakonshme më herët këtë vit, Pitbull është rikthyer në Britani me një tjetër turne. Artisti 44-vjeçar, me emrin e vërtetë Armando Christian Perez, ka shitur mbi 25 milionë albume dhe 100 milionë këngë në gjithë botën.

Veshja masive e adhuruesve si ai ka filluar të ndodhë në turnetë e fundit, dhe ai e konsideron këtë si nder.
“Është si trofe i madh kur ngjitesh në skenë dhe sheh se gjithë puna e vështirë po shpërblehet. Kam 25 vjet në këtë lojë dhe të shoh çdo grupmoshë, çdo njeri të veshur si unë në koncerte, është e paçmueshme”.

Pitbull, me prejardhje kubane, e ka nisur karrierën në hip-hopin latin në Miami, por në fillim të viteve 2010 u zhvendos drejt muzikës pop, duke bashkëpunuar me emra të mëdhenj si Christina Aguilera, Usher dhe Shakira.

Falë shpërthimit të platformave transmetuese, muzika spanjolle është bërë shumë më e dëgjuar edhe në vendet ku spanjishtja nuk flitet si gjuhë amtare.

Pitbull ka përfituar nga kjo mundësi dhe e konsideron veten si rast i veçantë në industrinë muzikore.
“Në botën latine më thonin që jam shumë anglez. Në botën angleze më thonin që jam shumë latin. T’i bashkoj tani të dy botët më bën të ndihem shumë mirë”, ka thënë artisti.

Në koncertet e tij, ai gjithmonë përfshin edhe këngë në spanjisht dhe pjesë nga repertori i tij latin.
“Tashmë mund t’i bashkoj këto dy botë dhe të shoh fuqinë e muzikës, pavarësisht gjuhës”, ka thënë ai.

Pitbull ka thënë se është emocionuese kur njerëzit i afrohen dhe i thonë se kanë mësuar spanjisht falë teksteve të tij.

Para koncertit të tij në “O2 Arena” në Londër, shumë adhurues thanë se kishin blerë biletat për arsye nostalgjie, sepse Pitbull kishte qenë muzika e sfondit në udhëtimet e shkollës dhe netët studentore.

“Muzika ime ofron atë mundësi për të ikur nga përditshmëria. Është si terapi”, ka thënë ai.

Këngët e turneut ishin renditur për të ndezur atmosferën, me hite si “Timber” dhe “Fireball” që ngritën në këmbë shumë adhurues me kapele të bardha. Koncerti kishte ritëm të pandalshëm, me shumë ndryshime veshjesh nga Pitbull dhe ndërprerje me DJ që e mbajtën publikun vazhdimisht aktiv.

Në fund, koncerti ka rezultuar si ngjarje argëtuese, plot energji dhe nostalgji, që i ktheu të gjithë në kohët më të lumtura të vitit  2010.

Pitbull ka theksuar se nuk ndjek trendet e momentit kur përzgjedh këngët për koncertet e tij.
“Nuk më intereson çfarë është në modë apo çfarë është ‘cool’. Unë dua vetëm që njerëzit të kënaqen”, ka thënë ai.

Ylli nuk e la pa sjellë edhe frazat e tij të famshme motivuese për adhuruesit e pranishëm.

“Kjo është për të gjithë ata që po kalojnë kohë të vështira, kam qenë aty, e kam kaluar. Por çdo ditë mbi tokë është një ditë e mrekullueshme”, ka thënë ai.
Këngëtari ka shtuar edhe thënie te tjera duke cekur se jeta nuk është humbje kohe.

“Jeta nuk është humbje kohe dhe koha nuk është humbje jete. Prandaj mos ta humbim kohën, le të kalojmë kohën më të mirë të jetës sonë!”, ka thënë ndër të tjera ai.

Pitbull ka thënë gjithashtu se askush nuk mund ta di se nëpër cfarë probleme po kalon dikush tjetër.

“Ti nuk e di çfarë po kalon një person në jetën e tij. Unë përpiqem të krijoj fraza të tilla që të ndihmojnë në çdo situatë, ashtu siç kemi bërë ne kubanët ndër vite”, ka thënë krijuesi i hitit “Fireball”.

Ai ka shtuar se këtë qasje e ka aplikuar edhe në anglisht, duke krijuar tekste të thjeshta dhe të fuqishme që fansat i kënduan me gjithë shpirt gjatë gjithë natës.