Ndërsa pret dënimin në qendrën e paraburgimit në Brooklyn të New Yorkut, reperi dhe themeluesi i “Bad Boy Records”, Sean “Diddy” Combs, ka dhënë sinjale se nuk ka hequr dorë nga rikthimi në skenën muzikore dhe të famës.
Avokati i tij mbrojtës, Marc Agnifilo, ka thënë se klienti i tij është i vendosur të mos e humb këtë mundësi të dytë, ka shkruar FemaleFirst.
“Ai është një njeri që ka krijuar gjithçka nga asgjëja, kur ishte shumë më i ri. Kjo situatë i jep atij shansin të krijojë diçka të veçantë nga jeta e tij”, ka thënë ai.
Sipas Agnifilo, Combs i ka thënë se “unë kam ende shumë për të dhënë.”
“Ai e sheh jetën si një dhuratë që i është dhënë”, ka shtuar avokati.
55-vjeçari ndodhet paraburgim që nga shtatori i vitit të kaluar. Ai u shpall fajtor për dy akuza për “transportim për qëllime prostitucioni”. Ai kishte rrezikuar burgim të përjetshëm për shkak të akuzave për trafikim seksual dhe krime të tjera të rënda, por për këto u shpall i pafajshëm. Megjithatë, për akuzat për prostitucion ai rrezikon të dënohet deri në 20 vjet burgim, ndërsa prokurorët kërkojnë që dënimi të jetë të paktën katër deri në pesë vjet.
Pas shpalljes së fajësisë, gjyqtari Arun Subramanian refuzoi kërkesën për lirim me kusht, duke përmendur se Combs kishte ushtruar dhunë më herët ndaj dy ish-partnereve të tij dhe për këtë arsye përbënte rrezik për shoqërinë.
Një tjetër përpjekje për lirim me kusht u refuzua sërish nga i njëjti gjyqtar, i cili shkroi se “Combs nuk arriti të tregonte se meriton të lirohet”.
“Rasti përfshin prova të dhunës, shtrëngimit dhe nënshtrimit në lidhje me aktet e prostitucionit që janë në fjalë”, ka thënë Subramanian.
Ndërkohë avokatët e tij po kërkojnë dënim nga 21 deri në 27 muaj, në përputhje me udhëzimet federale, prokuroria ka theksuar se ai meriton dënim më të gjatë, duke përmendur, sipas tyre, “një histori të gjerë të dhunës, dhe përpjekjen e tij të vazhdueshme për të minimizuar sjelljen e tij të fundit të dhunshme.”
“Sean Combs nuk do të jetë i dhunshëm ndaj askujt. Siç thamë në gjykatë, kjo juri ia ktheu jetën, dhe ai nuk do ta shpërdorojë këtë shans të dytë, as nuk do të bëjë asgjë që rrezikon që shtatë fëmijët e tij të rriten pa baba, dhe katër prej tyre pa asnjërin prind”, ka theksuar Agnifilo në një nga dokumentet e dorëzuara në gjykatë.
Avokati ka propozuar që Combs të mbahet në arrest shtëpiak në rezidencën e tij në Miami, me mbikëqyrje elektronike dhe siguri private. Dënimi i tij pritet të shpallet më 3 tetor.