Reperi i njohur Sean “Diddy” Combs mori duartrokitje nga të burgosurit e tjerë kur u kthye në qendrën e paraburgimit në Brooklyn, pasi u shpall i pafajshëm për disa akuza të rënda, sipas avokatit të tij.
56-vjeçari u lirua nga akuzat për trafikim seksual dhe organizim kriminal, por u shpall fajtor për dy akuza për transportimin e personave me qëllim prostitucioni. Pas vendimit, të burgosurit e tjerë e panë këtë si një shenjë shprese.
“Të gjithë i thanë: ‘Asnjëherë nuk na bie rasti të shohim dikë që e mund qeverinë’”, ka thënë për People, avokati i Combsit, Marc Agnifilo.

Agnifilo, i cili flet me Combsin katër ose pesë herë në ditë, beson se arrestimi dhe koha në burg e kanë ndryshuar atë.
“Ai po ia del mirë. Ka kuptuar se ka mangësi si gjithë të tjerët, me të cilat nuk është përballuar kurrë. Ai ‘digjet shpejt’ për çdo gjë. Tani e sheh se këto të meta nuk fshihen as me famë, as me pasuri. Nuk mund t’i mbulojë dot”, ka thënë avokati.
Themeluesi i Bad Boy Records është në burg që nga muaji shtator i vitit 2024 dhe do të qëndrojë aty deri më 3 tetor, kur do të shpallet dënimi, pasi sërish iu mohua lirimi me kusht nga gjyqtari Arun Subramanian. Për akuzat ku u shpall fajtor, rrezikon deri në 20 vjet burg.
Duke refuzuar kërkesën për lirimin me kusht, gjyqtari ka thënë se prokurorët kishin të drejtë kur theksuan se shkelja e ligjit që quhet 'Mann Act' kërkon detyrimisht që i akuzuari të mbahet në paraburgim.
“Për momentin, i pandehuri nuk arrin të provojë me fakte bindëse që nuk përbën rrezik për ndonjë person apo për komunitetin. Para gjyqit, gjykata e refuzoi lirimin me kusht dhe nuk sheh arsye ta ndryshojë këtë vendim”, ka deklaruar Subramanian.
Combs u shpall fajtor për organizimin e fluturimeve për persona nëpër SHBA për marrëdhënie seksuale të kundërligjshme.
Ligji Mann Act, i miratuar fillimisht më 1919, ndalonte transportimin ndërshtetëror ose ndërkombëtar të grave ose vajzave “për prostitucion, shthurje ose qëllime të tjera jo morale”.
Në vitin 1986, ligji u ndryshua për të qenë neutral në gjini dhe formulimi i ri përcaktonte:
“çdo aktivitet seksual për të cilin dikush mund të akuzohet penalisht”.