Një shok i Al Pacinos ka treguar se aktori “do të pendohet përgjithmonë” që nuk u martua me të ndjerën Diane Keaton, gruan që, sipas tij, ka qenë dashuria e jetës së tij.
Aktorja legjendare, që vdiq të shtunën në moshën 79-vjeçare (11 tetor 2025), kishte rrëfyer më herët se kishte pasur “pëlqim të madh” për Pacinon gjatë xhirimeve të filmit “The Godfather” në vitin 1971. Romanca mes tyre nisi disa vite më vonë, gjatë xhirimeve të “The Godfather Part II” në vitin 1974.
Keaton dhe Pacino, që në film luanin çiftin Michael dhe Kay Corleone, patën një marrëdhënie të ndërlikuar që zgjati nga viti 1971 deri në 1987. Ata u ndanë përfundimisht në vitin 1990, pasi Pacino nuk pranoi të martohej.
“Kur kthen kokën pas, Al e pranon se dashuria e jetës së tij ishte Diane. Ai gjithmonë e ka quajtur ‘një grua të jashtëzakonshme’. E di që do të pendohet përgjithmonë që nuk e bëri hapin atëherë kur kishte mundësi”, ka thënë një shok i afërt i Pacinos për Daily Mail.
I njëjti burim ka shtuar se Pacino shpesh kishte thënë se: “Po qe se është e shkruar të ndodhë, kurrë s’është vonë për ta nisur nga e para”.
Por tani, shtoi ai, “fatkeqësisht është.”
Megjithëse i vjen keq që nuk e kërkoi dorën e Keatonit, Pacino është përkushtuar plotësisht ndaj fëmijëve të tij: vajzës Julie, 35 vjeç, nga ish-e dashura e tij, trajnerja e aktrimit Jan Tarrant; binjakëve 24-vjeçarë, Anton dhe Olivia, që i ka me ish-partneren, aktoren 73-vjeçare Beverly D’Angelo; dhe djalit të vogël, Roman, 2 vjeç, që e ka me ish-të dashurën Noor Alfallah.
“Al i adhuron të gjithë fëmijët e tij. Edhe pse gjithmonë ka preferuar të jetojë në New-York, ai bleu edhe një shtëpi në Los Angeles që të mund të kalonte më shumë kohë me ta, pasi jetojnë atje”, ka thënë shoku i aktorit.
Pacino dhe Keaton banonin për vite të tëra vetëm disa milje larg njëri-tjetrit në Beverly Hills, por nuk kishin folur kurrë pas ndarjes.
“E pyeta njëherë pse nuk flasin, dhe ai më tha: ‘S’ka nevojë. I kemi thënë të gjitha gjërat që duheshin thënë atëherë’”, ka treguar burimi.
Keaton, e cila nuk u martua kurrë, kishte folur hapur për ndjenjat e saj ndaj Pacinos. Në një intervistë për People.
“Isha e çmendur pas tij. Ishte i hijshëm, plot humor dhe fliste pa pushim. Kishte diçka në të që të kujtonte një fëmijë të humbur, një lloj gjeniu të çuditshëm ... dhe ishte jashtëzakonisht i bukur”, pati treguar ajo.
Aktorja la pas dy fëmijë të adoptuar, vajzën Dexter, 29 vjeç, dhe djalin Duke, 25 vjeç.
Familja e saj ka kërkuar privatësi gjatë kësaj kohe.
Sekuenca nga filmi "The Godfather":
Traileri i filmit: