Kulturë

Diane Keaton – ylli kinematografik me ambicie e stil të veçantë

Diane Keaton

Diane Keaton në sfilatën e shtëpisë së modës “Ralph Lauren” në vitin 2022. Një vlerësim i filmit të saj të suksesshëm, “Annie Hall”, e quajti atë “aktoren më të mirë të brezit tonë” (Foto: Getty Images)

Diane Keaton solli një personalitet të pazakontë në dhjetëra role filmike dhe televizive, duke filluar nga komeditë e çmendura si, “Sleeper” e deri te dramat depërtuese si, “The Godfather”. Një karrierë në film ishte gjithmonë qëllimi i Keatonit. Në një intervistë për emisionin “CBS Sunday Morning” në vitin 2010, ajo e shpjegoi neverinë e saj për teatrin si një ndjekje të përjetshme. “Natë pas nate? Të bësh një dramë? Kjo është ideja ime për ferrin”, kishte thënë ajo, duke vendosur një armë imagjinare në kokë

Anita Gates

 

Diane Keaton, aktorja plot energji, ndonjëherë jokonvencionale, gjithmonë sharmante, që fitoi një “Oscar” për rolin në komedinë e Woody Allenit, “Annie Hall”, dhe që ka luajtur rreth 100 role filmike dhe televizive, në mesin e tyre projekte jashtëzakonisht të suksesshme si, “Sleeper”, “The First Wives Club”, “The Godfather” dhe “Marvin’s Room”, vdiq në moshën 79-vjeçare.

Lajmin e konfirmoi Dori Rath, e cila prodhoi disa nga filmat më të fundit të Keatonit. Ajo nuk shpjegoi se ku apo kur vdiq aktorja, dhe nuk përmendi shkaktarin e vdekjes.

Keaton ishte 31 vjeç dhe kishte përvojë në tetë filma, shumica prej tyre komedi, kur luajti rolin kryesor në filmin “Annie Hall”, duke e portretizuar një grua beqare në New York me ambicie, pasiguri dhe stil të veçantë. 

Aktorja e pranoi shpërblimin “Oscar” e saj e veshur me një xhaketë prej lini, dy funde njëri mbi tjetrin, një shall mbi një këmishë të bardhë, dhe take të larta të veshura me çorape. Në librin e saj biografik të vitit 2014, “Then Again”, ajo e kujtoi këtë moment me pak pendesë, duke e quajtur “në veshje të çuditshme me shumë shtresa”.

Filmi “Annie Hall” që fitoi edhe tre “Oscar” të tjerë, përfshirë kategorinë kryesore “Filmi më i mirë”, i solli Keatonit një edhe plot nderime tjera, përfshirë çmime për aktrim nga, Bordi Kombëtar i Rishikimit, Shoqata Kombëtare e Kritikëve të Filmit, Rrethi i Kritikëve të Filmit në New York dhe Akademia Britanike e Artistëve të Filmit dhe Televizionit.

Një artikull vlerësues për filmin i publikuar në “The Hollywood Reporter” e quajti Keatonin “aktoren e përkryer të brezit tonë” dhe vuri në dukje faktin se ajo i shton sharm, ngrohtësi dhe spontanitet personazhit, duke e bërë të duket e besueshme për shikuesin.

Gjatë karrierës së gjatë dhe të suksesshme në film, Keaton mori edhe tri nominime të tjera për “Oscar”. Një prej tyre ishte për dramën fituese të çmimit akademik, “Reds”, ku ajo e portretizoi Louise Bryant, një shkrimtare e viteve 1910 që bashkëpunonte me socialistët e Greenwich Village dhe revolucionarët bolshevikë, veçanërisht me gazetarin aktivist, Jack Reed (i luajtur nga Warren Beatty dhe i cili e bëri regjinë e filmit).

Një tjetër nominim ishte për “Marvin’s Room” (1996), ku ajo portretizoi vajzën bujare që kujdesej për babanë e saj që po vdiste ngadalë dhe tezën e saj shpërqendruar, kur ajo diagnostikohet me leukemi dhe i nevojitet një transplantim i palcës së kockës. Ndër aktorët e tjerë të angazhuar në film ishin, Meryl Streep, Leonardo DiCaprio dhe Hume Cronyn.

Nominimi i tretë i erdhi për filmin “Something’s Gotta Give” (2003), një komedi për një dramaturg të suksesshëm, i cili e shndërron një ndarje jashtëzakonisht pikëlluese në një komedi teatri. Në film ajo tërheq vëmendjen e një doktori të bukur dhe shumë më të ri në moshë (i portretizuar nga Keanu Reeves), ndërsa e frymëzon një burrë seksist në të 60-at (i luajtur nga Jack Nicholson) që për herë të parë në jetën e tij të dashurohet me një grua të moshës së vet.

Diane Keaton ishte gjithashtu regjisore. Filmi i saj i parë ishte “Heaven” (1987), një dokumentar mbi besimet për jetën pas vdekjes. Në filmin e saj të fundit si regjisore, ajo drejtoi veten dhe yjet, Meg Ryan dhe Lisa Kudroë, në dramën komike “Hanging Up”, e cila vjen e bazuar në një roman të Delia Ephronit.

“Unstrung Heroes” (1995) ishte përpjekja e saj e parë në krijimin e filmave fantazi, dhe solli në ekran të madh aktorë si, Andie MacDowell, John Turturro dhe Michael Richards. Historia e kushërinjve idiosinkratikë të një djali adoleshent u përzgjodh për t’u shfaqur në Festivalin e filmit në Cannes.

Një karrierë në film ishte gjithmonë qëllimi i Keatonit. Në një intervistë për emisionin “CBS Sunday Morning” në vitin 2010, ajo e shpjegoi neverinë e saj për teatrin si një ndjekje të përjetshme. 
“Natë pas nate? Të bësh një dramë?”, kishte thënë ajo, duke vendosur një armë imagjinare në kokë. “Kjo është ideja ime për ferrin”.

Diane Hall u lind më 5 janar 1946 në Los Angeles. Ajo ishte më e madhja nga katër fëmijët e John NeWton Ignatius Hall, i njohur si Jack, një inxhinier civil, dhe Dorothy Deanne (Keaton) Hall, një fotografe amatore. Ajo u rrit në Santa Ana të Kalifornisë, dhe për një kohë të shkurtër studioi në kolegje lokale. Në moshën 19-vjeçare, ajo e ndërpreu shkollimin dhe u zhvendos në New York për të studiuar aktrim në “Neighborhood Playhouse”. Debutimin në “Broadway” e shënoi me mjuzikllin e famshëm “Hair”, fillimisht si anëtare e ansamblit dhe më pas si protagonistja femër, Sheila. (Ajo refuzoi një shpërblim prej 50 dollarësh që i ofrohej aktorëve që pranonin të shfaqeshin lakuriq në një skenë).

Karriera e saj në “Broadway” vazhdoi dhe partneriteti i aktores me regjisorin, Woody Allen, filloi pikërisht me filmin e vitit 1969 “Play It Again, Sam”. Kjo performancë ia fitoi saj një nominim “Tony” për aktoren më të mirë me rol dytësor në një dramë.

Debutimi zyrtar i Keatonit në film erdhi vitin e ardhshëm, kur e portretizoi një grua të re të palumtur në martesën e saj, në filmin “Lovers and Other Strangers”. Pastaj, pas disa paraqitjeve televizive, ajo luajti rolin e Kay Adams, e dashura amerikane dhe më pas gruaja besnike e Michael Corleone (luajtur nga Al Pacino), në filmin hit të Francis Ford Coppolas, “The Godfather”.

Pavarësisht të gjitha vlerësimeve të larta që mori filmi “The Godfather”, Keaton e cila ishte gjithmonë e përmbajtur, rrallë fliste me entuziazëm për performancën e saj në këtë film. 

“Që nga fillimi mendova se nuk isha aktorja e duhur për rolin”, kishte thënë ajo për “The Times” pas publikimit të filmit. “Nuk e kam parë filmin. Vendosa që t’i kursej vetes dhimbjen. Më duhej t’i shikoja disa skena për të shtuar disa pjesë të dialogut, dhe nuk e duroja dot veten. Më dukej vetja e tmerrshme në ato rroba të viteve ‘40”.

Diane Keaton në ndarjen e çmimeve “Oscar” në vitin 1978, ku ajo ishte fituese për filmin “Annie Hall”. Me të ishte, ndër të tjerë, Jack Nicholson, prezantues gjatë mbrëmjes, me të cilin ajo më vonë do të luante bashkë në ekran të madh (Foto: Associated Press)

Tre vjet më vonë, në të njëjtin vit kur u lansua filmi “Annie Hall”, ajo luajti në dramën emocionale “Looking for Mr. Goodbar” si një mësuese e re që bredh nëpër bare beqarësh pothuajse çdo natë. Kritikja Molly Haskell në revistën “New York” e quajti performancën e Keatonin si “performanca e jetës së saj”, ndërsa filmin e vlerësoi “tronditës, i fuqishëm dhe i tmerrshëm”. Disa vëzhgues vunë re se megjithëse ajo fitoi “Oscar” për filmin “Annie Hall”, shumë votues ishin ndikuar nga performanca e saj në “Mr. Goodbar”, të cilin e konsideronin brilant, por shumë të vështirë për t’u përballuar.

Ajo u shfaq rregullisht në filmat e Woody Allenit, duke filluar me versionin filmik të “Play It Again, Sam”, “Sleeper”, një komedi me ngjarjen e vendosur në një të ardhme distopike, dhe “Love and Death”. Gjithashtu luajti në dy nga filmat më seriozë bashkëkohorë të Allenit, “Interiors” (1978) dhe filmi fitues i shumë çmimeve, “Manhattan” (1979).

Përveç filmave “Reds”, “Marvin’s Room” dhe vazhdimeve të “The Godfather”, Keaton luajti në disa drama të tjera, disa pre tyre me tone satirike. Këtu përfshihen filmat: “Shoot the Moon”, ku aktroi krahas Albert Finney, “Crimes of the Heart” dhe mini‑seriali, “The Young Pope”.

Por talenti i saj për farsë të sofistikuar nuk shkoi kot. Para “Something’s Gotta Give”, ajo u paraqit me rol në komeditë, “Baby Boom” (1987), ku luajtur krahas aktorit Sam Shepard dhe, “Father of the Bride” (1991), ku solli performancë të shkëlqyeshme bashkë me protagonistin tjetër në film, yllin hollywoodian Steve Martin.

Në vitin 2004, duke folur në një festival komedie në Aspen, Kolorado, regjisorja dhe skenaristja e shquar, Nancy Meyers i krahasoi aftësitë komike të Keatonit me ato të dy yjeve të mëparshëm, Katharine Hepburn dhe Jean Arthur. Në një intervistë për “The Times”, edhe Woody Allen pati vlerësime të larta për aktoren duke thënë: “Mendimi im është që me përjashtim të Judy Holliday, ajo është komediania më e mirë që kemi parë ndonjëherë në ekran”.

Filmat e tjerë komikë të Diane Keaton ishin, “Harry and Walter Go to New York”, me James Caan dhe Elliott Gould, “The Family Stone” (2005), me kast të përbërë nga aktorë yje si, Dermot Mulroney, Sarah Jessica Parker dhe Craig T. Nelson, “5 Flights Up” (2014), ku luajti përballë Morgan Freeman, dhe “Poms” (2019), një film që sjell historinë e disa tifozëve sportive në moshë pensioni.

“The First Wives Club” ku luajti krahas aktoreve, Goldie Hawn dhe Bette Midler, ishte një hit i madh në arkat filmike. Filmi i saj i fundit ishte “Summer Camp” (2024), një komedi për tre miq të vjetër në një ribashkim plot ngjarje.

Jeta personale e aktores herë pas here merrte vëmendje në mediat rozë, teksa ndiqnin marrëdhëniet e saj romantike, përfshirë me Warren Beatty dhe Woody Allen, krahas aktorit Al Pacino. Ajo kurrë nuk u martua dhe adoptoi dy fëmijë, një djalë, Duke Keaton, dhe një vajzë, Dexter Keaton.

“Plakja nuk ë ka bërë më të mençur”, i kishte thënë ajo revistës “People” në vitin 2019, me një sytë tipik autokritik, duke këmbëngulur me gëzim: “Nuk di asgjë, dhe nuk kam mësuar asgjë”.

Megjithëkëtë, gjatë viteve ajo shkroi dhjetëra libra — vëllime mbi modën, artin dhe arkitekturën, si dhe memoare. Ajo shquhej për sinqeritetin e saj në këta libra me kujtime, ironinë, cinizmin dhe kritikat e ashpra kundrejt vetes.

“Mësova që nuk mund të hedh dritë mbi dashurinë përveçse të ndieja ardhjet dhe ikjet e saj, dhe të jem mirënjohëse për gjithçka”, shkroi Keaton në librin e titulluar, “Then Again”. “Nëse bukuria është në sy të shikuesit, a do të thotë kjo që pasqyrat janë një humbje kohe?”.