Familja e Diane Keaton ka zbuluar se aktorja ka ndërruar jetë nga pneumonia.
Ylli i filmit “Annie Hall” u nda nga jeta më 11 tetor, në moshën 79-vjeçare. Në një deklaratë për revistën People, familja e saj falënderoi publikun për mesazhet e ngrohta që kanë marrë pas vdekjes së aktores.
“Familja Keaton është jashtëzakonisht mirënjohëse për mesazhet e jashtëzakonshme të dashurisë dhe mbështetjes që ka marrë këto ditë, në emër të Dianes së tyre të dashur, e cila ndërroi jetë nga pneumonia më 11 tetor”, thuhet në deklaratë.
Ata shtuan se kushdo që dëshiron të nderojë kujtimin e aktores së filmit “The Godfather” mund ta bëjë këtë duke dhuruar për kauzat që ajo mbështeste.
“Ajo i donte shumë kafshët dhe ishte e palëkundur në përkrahjen e saj për komunitetin e pastrehëve. Prandaj, çdo donacion në kujtimin e saj për një bankë ushqimore lokale apo një strehë kafshësh do të ishte homazh i bukur dhe shumë i vlerësuar”, thuhet tutje në deklaratë.
Sipas People, shëndeti i Keaton ishte “përkeqësuar shumë papritur” para vdekjes.
“Gjendja e saj u përkeqësua shumë papritur, gjë që ishte zemërthyese për të gjithë ata që e donin. Ishte diçka e papritur, sidomos për dikë me aq forcë dhe shpirt”, ka thënë një burim i afërt me familjen.
I njëjti burim ka shtuar se në muajt e fundit ajo ishte rrethuar vetëm nga familja më e afërt.
“Në muajt e fundit, ajo ishte vetëm me familjarët më të ngushtë, të cilët zgjodhën ta mbanin gjithçka shumë private. Edhe disa miq të vjetër nuk ishin plotësisht në dijeni të asaj që po ndodhte”, ka thënë burimi.
Në muajin mars, Keaton e kishte nxjerrë në shitje “shtëpinë e ëndrrave” të saj në Brentwood, Kaliforni, megjithëse dikur kishte premtuar se do të qëndronte aty përgjithmonë. Banorët e zonës thanë se ajo nuk shihej më shpesh duke shëtitur qentë e saj, si dikur.
“Diane jetoi për shumë vite në Brentwood. Ajo e donte lagjen e saj. Deri para disa muajsh, dilte çdo ditë me qenin e saj. Vishte gjithmonë një kapelë dhe syze të errëta, pavarësisht motit. Ishte gjithmonë shumë e sjellshme dhe plot humor. Fliste me qenin e saj sikur të ishte njeri. Ishte e veçantë, me atë aurën e vjetër të Hollywoodit”, ka thënë një tjetër burim.
Një mike e afërt e kujtoi aktoren e projektit filmik “The First Wives Club” si “një në një milion”.
“Ajo jetoi saktësisht siç dëshironte, në mënyrën e saj, e rrethuar nga njerëzit dhe gjërat që i donte vërtet. Diane kishte gjithmonë një ndjenjë të fortë të vetvetes dhe e dinte mirë si donte të jetonte. Deri në fund, ishte plot humor dhe kishte atë mënyrën e saj për ta bërë çdo moment të zakonshëm të ndihej i veçantë. Kjo ishte ajo”, ka thënë mikja e saj.
Keaton nuk u martua kurrë. Ajo lë pas dy fëmijët e saj të adoptuar: vajzën Dexter, 29 vjeçe, dhe djalin Duke, 25 vjeç.