Jo të gjithë këngëtarët kanë angazhimin e njëjtë në muzikë. Gjersa disa prej tyre ndodh që të publikojnë krijime të reja pothuaj brenda çdo muaji, një pjesë e mirë e tyre mjaftohen me një këngë e klip gjatë gjithë vitit.
Kjo pashmangshëm tregon seriozitetin e secilit në këtë biznes aspak të lehtë, e që kush po ia del e kush jo është çështje tjetër.
Nga ajo që po shihet, projektet e shumta muzikore, këngët e klipet e njëpasnjëshme, lirshëm mund të thuhet se këtë listë e kryeson reperi shqiptar, Noizy, raporton Express i KTV-së. Vetëm gjatë vitit të kaluar, ai ka lansuar gjithsej 9 këngë, ku shumica prej tyre janë të realizuara edhe me videklipe. Madje, çdo projekt i tij i lansuar në Youtube arrin të marrë miliona klikime dhe kjo tregon simpatinë që ai gëzon sidomos nga moshat e reja.
Ledri, një reper tjetër i cili me 7 projekte të lansuara gjatë 12 muajve të vitit 2017, që të gjitha edhe të vizualizuara, e vazhdon listën e emrave më aktivë në muzikën shqiptare. E, pikërisht Ledri bashkë me Noizyn, në fundvitin e kaluar sollën bashkëpunimin e tyre “Deri dje”, e që rezultoi të jetë një nga bashkëpunimet më të suksesshme të lansuara kohëve të fundit.
Dhurata Dora dhe Nora Istrefi janë këngëtaret që po ashtu kanë qenë mjaft aktive. Që të dyja sollën projekte të reja, pos tjerash edhe bashkëpunimi si Dhurata me Lumi B në këngën “Simpatia”, e Nora fillimisht me bashkëshortin e saj, Robertin në këngën “S’ka inat” e më pas edhe me Gjikon në atë “Gabime”.
Ndryshe nga të lartpërmendurit, vitin e kaluar është vërejtur jo-aktiviteti në skenën shqiptare i disa emrave shumë të pëlqyer, e sidomos disa këngëtareve, si: Dafina, Elvana dhe Era. Kjo meqë këto këngëtare tashmë janë shumë të fokusuar për të depërtuar në skenën ndërkombëtare, gjë për të cilën ka pasur disa këngë e klipe, por jo me ndonjë sukses të lakmueshëm. Gjithsesi, insistimi i tyre po vazhdon dhe mbetet të shihet se deri ku do të arrijnë.
As Tuna nuk është aktive, por në këtë rast për arsye personale. Pasi është bërë nënë për herë të parë, ajo është e fokusuar në rritjen e djalit të saj dhe mbetet të pritet rikthimi i saj.
Edhe Genta Ismajli hyn në listën e këngëtareve jo shumë aktive. Erdhi me vetëm dy këngë, njëra prej të cilave solo, e tjetra bashkëpunim.
Pa dyshim se mosangazhimi në muzikë e zbeh shumë karrierën e secilit këngëtar, sidomos në një kohë siç është kjo kur çdo ditë dalin në skenë emra të rinj dhe mjaft të talentuar. E kjo mbase duhet të ishte një shtysë e madhe për të qenë më afër publikut me projekte muzikore edhe përkundër angazhimeve në jetën personale.