Showbiz

Nis hetimi për shkaqet e vdekjes së legjendës së mundjes, Hogan

Hulk Hogain

Hulk Hogain

Foto: Associated Press

Policia në Florida ka konfirmuar se ka nisur një hetim mjekësor pas vdekjes së ikonës së mundjes Hulk Hogan, i cili vdiq të enjten (24 korrik 2025) në një spital në Florida.

I lindur si Terry Bollea, 71-vjeçari u dërgua me urgjencë në spital pasi ambulanca u thirr në shtëpinë e tij pak para orës 10 të mëngjesit. Ai vdiq në orën 11:17 në spitalin Morton Plant Hospital.

“Departamenti i Policisë së Clearwater po zhvillon një hetim mjekësor, gjë që është standarde në raste të tilla. Deri më tani nuk ka asnjë shenjë që të sugjerojë ndonjë veprim kriminal apo aktivitet të dyshimtë”, ka thënë Nate Burnside nga policia e Clearwater, gjatë një konference për shtyp, ka raportuar FemaleFirst.

Pas lajmit tragjik, kompania WWE publikoi një deklaratë zyrtare.

“WWE është e pikëlluar të mësojë se anëtari i bulevardit të famës në Hollywood, Hulk Hogan ka ndërruar jetë. Një nga figurat më të njohura të kulturës pop, Hogan ndihmoi që WWE të fitonte famë globale në vitet '80. Ngushëllimet tona shkojnë për familjen, miqtë dhe fansat e tij”, thuhej në deklaratë.

Raportohet se Hogan ka vuajtur nga probleme serioze shëndetësore muajt e fundit. 

Në muajin qershor, ai iu nënshtrua një operacioni kompleks në qafë.

Bashkëshortja e tij, Sky Daily, 45 vjeçe, kishte njoftuar përmes Instagramit se ai po kalonte një proces të vështirë dhe të gjatë shërimi.

“Po shërohet dhe po e marrim ditë pas dite, me dashuri, forcë dhe durim”, pati shkruar ajo.

Përmes rrjeteve sociale u përhapën thashetheme se Hogan ishte në koma, por Sky i mohoi menjëherë.

“Jo, ai nuk është në koma! Zemra e tij është e fortë dhe nuk ka pasur mungesë oksigjeni apo dëmtime në tru”, ka thënë ajo për PennLive.

Që nga operacioni i fundit, u raportua se Hogan kishte humbur ndjeshmërinë në pjesën e poshtme të trupit.

“Ai i ka prerë nervat në pjesën e poshtme të trupit. Nuk ndien më asgjë dhe lëviz me ndihmën e një shkopi. Nuk ka dhimbje, nuk ndien asgjë fare”, kishte thënë ish-mundësi Kurt Angle, 55 vjeç, në një episod të podcastit të tij The Kurt Angle Show.

Në atë kohë, përfaqësuesit e Hogan e kishin mohuar këtë deklaratë.

“Çdo gjë është në rregull me të. Hulk ka shumë humor”, kanë deklaruar ata për Entertainment Tonight

Vetëm dy ditë para vdekjes, menaxheri i tij i kahershëm, Jimmy Hart, kishte shkruar në X (ish-Twitter) se “Hulk po shkon për mrekulli, është në gjendje fenomenale”.