Aktorja Nicole Kidman është rikthyer në Festivalin e Filmit në Cannes, ku u nderua me çmimin prestigjioz Woman in Motion, dhënë nga kryetari i kompanisë “Kering”, François-Henri Pinault, presidentja e festivalit Iris Knobloch dhe drejtori Thierry Fremaux.
Para darkës së ndarjes së çmimeve, Kidman në një dikutim me Variety, ka folur me pasion për angazhimin e saj me regjisoret gra.
Që në vitin 2017, Kidman kishte bërë një zotim publik: të punonte me një regjisore çdo 18 muaj.
Tetë vjet më vonë, Kidman ka thënë se ka bashkëpunuar me 27 regjisore.
“Do ta bëja të mundur. Isha në një pikë kur flisnim për pabarazinë në zgjedhje. Pyetja ishte: ‘A mund ta drejtojë këtë një grua?’ Dhe nuk kishte shumë emra për të zgjedhur. Thoshin: ‘Është hera e parë e saj’ dhe askush nuk donte të rrezikonte”, ka thënë ajo.
Ajo ka theksuar se duhej të krijonte vetë një qasje të re.
“Duhej të thosha: kjo është mënyra si do ta bëj. Ne do të marrim rrezikun, do t’i mentorojmë, mbështesim dhe do t’i mbrojmë. Sepse një pjesë e rëndësishme është mbrojtja, të krijosh siguri dhe mbështetje rreth tyre që ato të japin më të mirën. Dhe, po aq e rëndësishme, është t’u japësh mundësinë që të ndihen se kjo nuk është mundësia e vetme në jetë. Sepse shpesh ndodh që u thuhet: ‘E ke vetëm një shans”, ka thënë tutje aktorja.
Kidman ka folur më herët për këtë standard të padrejtë që ndjek regjisoret në Hollywood. Ndërsa burrat marrin shans të dytë pas dështimit, gratë shpesh përjashtohen nëse nuk sjellin film të përkryer.
Ajo ka theksuar se është shumë e kujdesshme kur punon me regjisore të reja që t’u thotë se edhe nëse projekti nuk del i përsosur, kjo nuk do të thotë që kanë dështuar.
Por vëmendja e saj nuk është vetëm te të rejat.
“Arrin një moshë kur ndoshta ke bërë një film të shkëlqyer në të 20-at që është vlerësuar, por pastaj në të 40-at nuk e ke ndjekur me sukses ose ke bërë zgjedhje që s’kanë funksionuar. Por ti thua: ‘Nuk kam mbaruar! Ju lutem vazhdoni të besoni tek unë dhe të investoni tek unë’. Kjo është shumë e rëndësishme, të përballesh me çështjet e moshës. Ka talente në rritje, por edhe të tilla që kanë një përvojë të jashtëzakonshme dhe janë lënë mënjanë vetëm sepse nuk janë më ‘emri i momentit’. Duhet të thuash: ‘Jo, ti mund të kesh kapitull të dytë ose të tretë”, ka thënë Kidman.
Që prej vitit 2017, karriera e saj në film është një përzierje e emrave të mëdhenj si Karyn Kusama dhe Susanne Bier, me regjisore të reja si Halina Reijn dhe Mimi Cave. Filmi i fundit i saj në kinema ishte “Babygirl” i Reijn, ndërsa filmi “Holland” nga Mimi Cave doli këtë pranverë në platformën Prime Video. Në televizion, Kidman ka punuar me Lulu Wang në filmin “Expats” dhe sërish me Susanne Bier në “The Perfect Couple”. Bier do të drejtojë gjithashtu filmin e ardhshëm “Practical Magic 2”, ku Kidman do të rikthehet përkrah koleges së saj, aktores Sandra Bullock.
Por, a është gati Kidman të kalojë vetë pas kamerës si regjisore. “Jo,” tha ajo qartë.
“E ndjej shumë më përmbushëse të mbështes regjisorët në cilësinë e producentes. Është e mrekullueshme të jesh aktore dhe të thuash: ‘Jam në duart e tua, formom si të duash’. Më pëlqen intimiteti i punës. Është intimiteti ai që më rikthen gjithmonë. Është shpëtimi im”, ka thënë tutje Kidman.
Kur bëri zotimin e saj në vitin 2017, vetëm 4% e filmave më të suksesshëm në arkat filmike ishin drejtuar nga gra. Sot, kjo shifër ka arritur në 13.6%, por sipas Kidman, “kjo përsëri duket shumë e ulët”.
“Duhet të punojmë, t'i mbështesim financiarisht dhe të gjejmë mentorë financiarë, njerëz që janë të gatshëm të investojnë para te një regjisore e panjohur dhe të marrin rrezikun”, ka thënë ndër të tjera ylli.