Aktorja e mirënjohur e Hollywoodit, Nicole Kidman, ka deklaruar se është duke e shikuar jetën përpara dhe se është duke u ndier “e rifreskuar dhe optimiste” pasi ka finalizuar divorcin nga ish-bashkëshorti i saj, këngëtari i muzikës country, Keith Urban më 6 janar, pas 19 vjetësh martesë.
Çifti është ndarë në muajin shtator të vitit 2025, ndërsa tani aktorja është e përqendruar te familja dhe projektet e saj të ardhshme. Ajo po kalon më shumë kohë me dy vajzat e tyre, Sunday 17 vjeçe dhe Faith 15 vjeçe.
“Nicole kalon shumë kohë me vajzat e saj. Ajo e do kohën me familjen”, ka thënë një burim për People.
Aktorja e filmit “Babygirl”, e cila e përfundoi martesën duke përmendur “vështirësi martesore dhe dallime të papajtueshme”, ka festuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri në Australi, vendlindjen e saj. Tashmë ajo është rikthyer në Nashville me vajzat.
“Ajo ndihet e rifreskuar dhe optimiste për vitin e ri. Të gjithë po kthehen në rutinën e tyre dhe gjërat kanë qenë të qeta”, ka shtuar burimi.
Përveç jetës familjare, Kidman po përgatitet për një vit të ngarkuar profesionalisht.
Në muajin shtator pritet të publikohet vazhdimi i filmit të famshëm të vitit 1998, Practical Magic, ku ajo luan përkrah aktores Sandra Bullock.
“Ajo po shikon përpara drejt një viti të ngarkuar dhe emocionues në aspektin profesional, me disa projekte në horizont”, ka thënë burimi.
Në muajin nëntor, Kidman kishte pranuar se po “ia dilte disi” pas ndarjes nga Urban, ndërsa një tjetër burim kishte bërë të ditur se kujdestaria e vajzave po menaxhohet pa probleme.
“Vajzat jetojnë me Nicole, por kalojnë aq kohë me Keith sa të dëshirojnë. Nuk ka dramë”, ka thënë burimi.
Sipas dokumenteve gjyqësore, Kidman do të ketë kujdestarinë kryesore të vajzave për 306 ditë në vit, ndërsa Keith për 59 ditë. Nuk do të ketë pagesë mujore për mbështetje financiare për fëmijët.
Ish-çifti ka rënë dakord të mos flasë keq për njëri-tjetrin apo për familjet përkatëse dhe të inkurajojë vajzat “ta duan dhe respektojnë të dy prindërit dhe të ndihen rehat në të dy familjet”.
Gjithashtu, të dy do të mbajnë pasuritë e tyre personale, duke lënë të kuptohet se kishin një marrëveshje paramartesore.