Showbiz

Isla Fisher e tronditur nga divorci i Nicole Kidmanit dhe Keith Urbanit

Isla Fisher dhe Nicole Kidman

Isla Fisher dhe Nicole Kidman

Aktorja, Isla Fisher ka thënë se ishte “shumë, shumë, shumë e tronditur” nga ndarja e koleges së saj, Nicole Kidman me këngëtarin, Keith Urban, e cila ndodhi muajin e kaluar.

Aktorja australiane, e njohur nga filmi “Now You See Me”, e cila u nda nga bashkëshorti i saj pas 23 vjetësh martesë, aktori, Sacha Baron Cohen, në vitin 2024, ka treguar se e ka kontaktuar Kidmanin për t’i ofruar mbështetje pas lajmit se ajo dhe këngëtari i muzikës country i kishin dhënë fund martesës së tyre 19-vjeçare.

Duke folur në podkastin Fly on the Wall me Dana Carvey dhe David Spade, Fisher, 49 vjeçe, tha se “ka qenë e martuar për 23 vjet. Sapo jam... ndarë, divorcuar”, ka raportuar FemaleFirst.

Kur Dana, 70 vjeç, e pyeti se si ndihet që një mike si Nicole po kalon diçka të ngjashme, ajo u përgjigj duke thënë se është tejet e tronditur.

“Jam shumë, shumë, shumë e tronditur. Kam lënë një mesazh, por ende nuk jemi lidhur. Nuk dua të komentoj më shumë, sepse ka fëmijë të përfshirë”, ka thënë aktorja.

Së fundmi, Fisher ka reflektuar edhe mbi mënyrën se si po e përqafon “identitetin e ri si një person jashtë një marrëdhënieje”.

“Kam kaluar disa vite të vështira, por po ia dal. Jam shumë e emocionuar për kapitullin e ardhshëm. Po e përqendroj energjinë time te karriera, sepse më parë isha plotësisht e fokusuar te fëmijët, që mbeten dashuria ime e vërtetë, por tani po e shijoj rikthimin në punë”, ka thënë ajo në një interviste për Harper’s Bazaar.

Ajo ka shtuar se një nga përfitimet e kësaj situate sfiduese ka qenë luksi për t’i bërë vetes pyetjen “Çfarë dua të bëj profesionalisht dhe privatisht?”

“Po përpiqem t’i kujtoj vetes identitetin tim të ri si dikush jashtë një partneriteti dhe të qëndroj sa më pozitive. Çdo ndryshim është i vështirë për t’u përballuar, por shpresoj që po ia dal mirë”, ka thënë aktorja.

Fisher më herët e ka quajtur divorcin “gjënë më të vështirë” që ka kaluar ndonjëherë, por ka theksuar se ajo dhe aktori i filmit “Borat” mbeten prindër të përkushtuar.

“Kam mësuar shumë për veten gjatë këtij procesi. Nuk e kam imagjinuar kurrë që familja ime do të ndahej, por jemi prindër të dashur dhe të përkushtuar. Fëmijët janë gjëja më e rëndësishme, dëshiron që ata të ndihen të sigurt dhe të dashur. Po ndërtojmë një version të ri, të shëndetshëm të familjes sonë dhe po i kushtojmë sa më shumë kujdes dhe dashuri kësaj faze të re”, pati thënë ajo për The Sunday Times.