Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Lydoni i shkatërruar nga beteja gjyqësore me Sex Pistols

Ikona e punkut John Lydon ka thënë se është “shkatërruar” nga lufta ligjore me ish-shokët e grupit për përdorimin e hiteve të Sex Pistols në një dramë televizive. Këngëtari, i njohur si Johnny Rotten, i përshkroi Paul Cookun, Steve Jonesin dhe Glen Matlockin si “të këqij” për sjelljen e rastit për ta licencuar muzikën për serialin, të quajtur “Pistol”. “Jam seriozisht në një gjendje shkatërrimi”, ka thënë ai për “The Daily Telegraph”. “Nuk kam më kursime, as kredi, as pension. Nuk kam asgjë”. Lydon, 65 vjeç, ka thënë se Sex Pistols tani ka marrë fund përgjithmonë. “Për mua ai grup ka pushuar së ekzistuari”. Seriali, që do të shfaqet vitin e ardhshëm, bazohet në një kujtim të Jones dhe drejtohet nga Danny Boyle.

Disa javë më parë, John Lydon e ka humbur betejën gjyqësore për ta ndaluar përdorimin e muzikës nga “Sex Pistols” për dramën e re televizive. Ish-bateristi Paul Cook dhe kitaristi Steve Jones e kishin paditur Lydonkin, aka Johnny Rotten, pasi ai u përpoq të vinte veton ndaj përdorimit të këngëve të grupit punk në një seri të drejtuar nga Danny Boyle.

Dyshja argumentoi se grupi kishte një marrëveshje që vendime të tilla mund të merreshin në "bazë të rregullit të shumicës". Në gjykatë Lydon tha se e hodhi poshtë atë marrëveshje, duke e krahasuar me "punë skllevërish". Këngëtari tha se marrëveshja e anëtarëve të grupit nuk ishte respektuar kurrë dhe se kërkesat për licenca më parë i ishin nënshtruar vetos së anëtarëve individualë. Sidoqoftë, një gjykatës ka vendosur se kontrata ishte e vlefshme dhe aktive dhe se shumica e grupit mund ta anulonte veton e çdo anëtari. Gjykatësi, Sir Anthony Mann, gjithashtu theksoi se Lydon “në të vërtetë kishte hequr dorë nga kontrollimi i përdorimit të të drejtave muzikore" për kompanitë botuese dhe muzikore si “Warner Chappell Music” dhe “BMG”.