Showbiz

John Lydon humb betejën për përdorimin e këngëve të “Sex Pistols”

John Lydon ka humbur një betejë në Gjykatën e Lartë për ta ndaluar përdorimin e muzikës nga “Sex Pistols” në një dramë të re televizive. Ish-bateristi, Paul Cook, dhe kitaristi Steve Jones kishin paditur Lydonin, aka Johnny Rotten, pasi ai u përpoq të vinte veton ndaj përdorimit të këngëve të grupit punk në një seri të drejtuar nga Danny Boyle.

Dyshja argumentuan se grupi kishte një marrëveshje që vendime të tilla mund të merreshin në "bazë të rregullit të shumicës". Në gjykatë, Lydon tha se e hodhi poshtë atë marrëveshje, duke e krahasuar me "punë skllevërish".

Këngëtari tha se marrëveshja e anëtarëve të grupit nuk ishte respektuar kurrë dhe se kërkesat për licenca më parë i ishin nënshtruar vetos së anëtarëve individualë.

Sidoqoftë, një gjykatës vendosi të hënën se kontrata ishte e vlefshme dhe aktive dhe se shumica e grupit mund ta anulonte veton e çdo anëtari.

Gjykatësi, Sir Anthony Mann, gjithashtu theksoi se Lydon “në të vërtetë kishte hequr dorë nga kontrollimi i përdorimit të të drejtave muzikore" për kompanitë botuese dhe muzikore si “Warner Chappell Music” dhe “BMG”.

Lydon ruajti "vetëm të drejtat e kualifikuara të miratimit të cilat mund të anashkalohen nëse ai ishte i paarsyeshëm", tha gjykatësi.

Në një deklaratë të përbashkët pas vendimit, Jones dhe Cook i thanë Asociacionit të Shtypit: “E mirëpresim vendimin e gjykatës në këtë rast. Ai sjell qartësi në vendimmarrjen tonë dhe e mbështet marrëveshjen e anëtarëve të grupit për vendimmarrjen kolektive. “Nuk ka qenë përvojë e këndshme, por besojmë se ishte e nevojshme të na lejonte të ecnim përpara dhe shpresojmë të punojmë së bashku në të ardhmen me marrëdhënie më të mira”.

Drama televizive, e quajtur thjesht “Pistol”, filloi xhirimet në mars. Është përshkruar si një seri me gjashtë pjesë e bazuar në kujtimet e Jonesit të vitit 2016, “Lonely Boy: Tales from a Sex Pistol”. Ajo drejtohet nga Danny Boyle, i cili, sipas dokumenteve të gjykatës, më parë e bindi Lydon që ta lejonte ta përdorte muzikën e “Sex Pistols” në ceremoninë e hapjes së Olimpiadës 2012 në Londër. Sidoqoftë, avokati i Lydon pretendoi se seria, e cila është duke u bërë nga Disney për kanalin e saj FX, do ta portretizonte këngëtarin në "një dritë armiqësore dhe jolajkatare".

Duke iu drejtuar gjykatës muajin e kaluar, Lydon tha: "Unë kujdesem shumë për këtë grup dhe reputacionin dhe kontrollin e cilësisë së tij dhe gjithmonë do të flasë nëse mendoj se diçka është duke u bërë për ta dëmtuar atë”. Avokatët për z. Cook dhe z. Jones argumentuan se nuk duhet të ketë ndonjë mosmarrëveshje nëse marrëveshja lejon që vendimet e licencimit të merren "me shumicë" dhe thanë se Lydon po shkelte rregullat duke refuzuar të jepte pëlqimin e tij.