Tilly Norwood është aktorja e parë e krijuar nga “Xicoia”, një studio e re talentesh të bazuar në inteligjencë artificiale, e cila është formuar nga kompania e prodhimit “Particle6” e producentes, aktores dhe skenaristes, Eline Van der Velden.
VIDEO:
Projekti u prezantua në “Zurich Summit” gjatë Festivalit të Filmit në Cyrih, ka raportuar Variety.
Van der Velden ka thënë se edhe studio të tjera po punojnë fshehurazi në eksperimente të ngjashme dhe priten njoftime të tjera në muajt në vijim.

Krijuesja e Norwood ka lëshuar një deklaratë pasi gjatë vikendit, shumë kompani filmike janë ofruar të bashkëpunojnë më karakterin digjital.
“Për ata që kanë shprehur nervozizmin për krijimin e aktores digjitale, Tilly Norwood, ajo nuk ka për qëllim zëvendësimin e njerëzve, por është rezultat i një pune kreative, një copë arti. Si shumë forma të tjera të artit para saj, ajo shkakton debat, dhe pikërisht kjo gjë tregon fuqinë e kreativitetit”, ka shkruar Van der Velden.
Kjo deklaratë është postuar edhe llogrinë zyratre të Norwoodit në rrjetin social Instagram.

Në këtë deklaratë, Van der Velden, tutje ka thënë se nuk e sheh AI-në si zëvendësim të njerëzve por si një vegël të re, "si një brushë të re për të pikturuar".
“Ashtu sikur animacioni, teatri i kukullave apo efektet kompjuterike CGI, kanë hapur mundësi të reja për aktrimin, AI-ja po ofron edhe një tjetër mënyrë të re për të imagjinuar e ndërtuar histori. Jam aktore vet, dhe asgjë, sinqerisht as karakteri i krijuar me AI, nuk mund të ma marrin mjeshtërinë e gëzimin e performancës njerëzore”, ka thënë ajo.
Lajmi ka shkaktuar valë reagimesh nga aktorët e Hollywoodit, si dhe parodi në rrjete sociale.
Aktorja Melissa Barrera ka shprehur indinjatën përmes një postimi në rrjetin social Instagram.
“Shpresoj që të gjithë aktorët që përfaqësohen nga agjenti që bën këtë, ta lënë atë. Sa e neveritshme. Kuptojeni situatën dhe veproni në përputhje me të”, ka thënë Barrera.
“Le të dalin agjentët”, ka shkruar Kiersey Clemons.

“Cka u bë qindra gra të jetës reale, fytyrat e së cilave janë përdorur për ta krijuar këtë? A ‘smund ta punësonit asnjërën prej tyre a?”, ka thënë Mara Wilson.
Lukas Gage ka shkruar se Norwood “ishte makth për të punuar me të”.
Toni Collete ka reaguar përmes disa emojive që shprehin habi.

Aktorja Emily Blunt ka reaguar ashpër gjithashtu, pasi gjatë një interviste për Variety, ajo u njoftua për herë të parë për Norwoodin.
Gjatë incizimit të podcastit “Variety Awards Circuit”, para premierës së filmit të saj të ri “The Smashing Machine” në Los Angeles, aktores iu dha lajmi se gjatë fundjavës ishte prezantuar Norwood. Reagimi i saj ishte i menjëhershëm.
“Mos vallë më zhgënjen? Nuk di si ta them ndryshe, përveç se sa e frikshme është kjo”, ka thënë Blunt. Kur iu tregua imazhi i aktores së krijuar nga AI, ajo mbeti e habitur.
“Jo, a e keni seriozisht? Kjo është AI? O Zot, morëm fund. Është vërtet, vërtet e frikshme. Agjenci, mos e bëni këtë. Ju lutem ndaloni. Mos na e merrni lidhjen njerëzore”, ka thënë Blunt.
Artistja, e shqetësuar, vuri re se Norwood ishte krijuar për të ngjarë me një kombinim aktorësh të njohur.

“Ata duan që ajo të jetë Scarlett Johanssoni i radhës”, i ka thënë Bluntit gazetarja e Variety.
Përgjigjja e saj ishte e prerë.
“Por ne e kemi Scarlett Johanssonin”, ka thënë Blunt.
Komentet e saj janë bërë në kohën kur Hollywoodi vazhdon të përballet me sfidën e përdorimit të inteligjencës artificiale në film dhe televizion.
Çështja e mbrojtjes së imazhit dhe zërit të aktorëve ishte një nga pikat kryesore të grevave të vitit të kaluar nga sindikatat WGA dhe SAG-AFTRA, ku aktorët kërkuan garanci që pamja dhe zëri i tyre të mos përdoren pa pëlqim.