Kulturë

Aktorja e krijuar me Inteligjencë Artificiale revolton Hollywoodin

Përdorimi i Inteligjencës Artificiale në industrinë e filmit ka qenë një prej shkaqeve të grevës që bllokoi Hollywoodin në vitin 2023. Tash, kjo temë është kthyer serish pas krijimit të aktores Tilly Norwood me Inteligjencë Artificiale

Përdorimi i Inteligjencës Artificiale në industrinë e filmit ka qenë një prej shkaqeve të grevës që bllokoi Hollywoodin në vitin 2023. Tash, kjo temë është kthyer serish pas krijimit të aktores Tilly Norwood me Inteligjencë Artificiale

Hollywoodi nuk e ka shtruar tapetin e kuq për Tilly Norwood – aktoren e krijuar nga Inteligjenca Artificiale (IA). Krijuesit e saj nga Holanda kanë njoftuar se aktorja IA aktualisht është në negociata me agjenci për talente. Kur shikohet profili i saj në rrjetet sociale, duket sikur Norwood është një aktore e re dhe ambicioze. Është bionde, pozon në fotografi dhe paraqitet në një skeç tërësisht të gjeneruar nga inteligjenca artificiale. Norwood shfaqet aty si “vajza nga lagjja”.

“Jam IA, por tani ndiej emocione shumë reale. Jam shumë e emocionuar për atë që vjen”, kanë shkruar krijuesit në faqen e saj.

Sindikata e aktorëve në Hollywood, ku bëjnë pjesë edhe Emily Blunt, Natasha Lyonne dhe Whoopi Goldberg, e ka dënuar këtë projekt.

“Tilly Norwood nuk është aktore, por një personazh i gjeneruar nga një program kompjuterik, i trajnuar përmes punës së shumë aktorëve profesionistë”, ka shkruar Sindikata Amerikane e Aktorëve të Filmit dhe Televizionit (SAG-AFTRA). “Ajo nuk ka përvojë jetësore, nuk ka emocione, dhe sipas asaj që kemi parë deri tani, publiku nuk është i interesuar të ndjekë përmbajtje të tillë”, shtohet në deklaratën e Sindikatës.

Tilly Norwood, aktorja e gjeneruar me  Inteligjencë Artificiale, është krijuar nga aktorja dhe komediania holandeze, Elin van der Velden, e cila thuhet se ka shprehur dëshirën që Tilly të bëhet “Scarlett Johanssoni e re”.

BBC-ja ka kontaktuar Van der Velden dhe kompaninë e saj të prodhimit, “Particle6”, për koment.

Në faqen e Instagramit të Tilly Norwood mund të shihen fotografi profesionale nga prova xhirimesh si dhe parodi të programeve të BBC-së, si për shembull ulur në divanin e njohur në “The Graham Norton Show”, ku zakonisht ulen yje të mëdhenj të industrisë së filmit dhe të muzikës.

Për shkak të reagimeve të forta dhe kritikave në Hollywood, krijuesja ka publikuar një mesazh në Instagramin e Tillyt, duke theksuar se personazhi i saj “nuk është zëvendësim për një qenie njerëzore, por një vepër arti – një shprehje krijuese”.

“Krijimi i Tillyt për mua është një akt imagjinate dhe mjeshtërie, jo shumë ndryshe nga vizatimi i një personazhi, shkrimi i një roli apo ndërtimi i një performance”, ka shkruar Van der Velden.

Krijime të tilla duhet të shihen si “pjesë e një zhanri të veçantë”, dhe jo të krahasohen me aktorët e vërtetë.

Inteligjenca artificiale ka qenë prej kohësh temë debati në Hollywood dhe ishte një nga pikat kryesore të përplasjes gjatë grevave të para dy vjetëve që paralizuan industrinë, kur skenaristët dhe aktorët kërkuan mbrojtje nga kjo teknologji.

Në deklaratën lidhur me Tilly Norwood, sindikata SAG-AFTRA u kujtoi agjencive dhe kompanive prodhuese se angazhimi i Norwood në projekte mund të rrezikojë marrëveshjet e arritura gjatë grevës së vitit 2023.

“Kjo nuk e zgjidh problemin, përkundrazi, krijon një të ri. Përdorimi i krijesave të tilla bën që aktorët të mbeten pa punë, duke rrezikuar jetesën e tyre dhe duke nënvlerësuar artin”, thuhet në deklaratën e Sindikatës.

Aktorja dhe regjisore Natasha Lyonne, e njohur për rolet në seritë “Poker Face”, “Orange is the New Black” dhe “Russian Doll”, ka thënë se se të gjithë ata që bashkëpunojnë me Norwood duhet të bojkotohen.

“Çdo agjenci për talente që merret me diçka të tillë duhet të bojkotohet”, ka thënë Lyonne, e cila aktualisht punon me një ekip që zhvillon “inteligjencë artificiale etike” për xhirime filmash me aktorë të vërtetë.

“Është e gabuar dhe shqetësuese”, shtoi ajo.

Kolegia e saj, aktorja Emily Blunt, në një intervistë për podcastin e revistës “Variety” ka thënë se aktorja IA është “e frikshme”.

“Kjo është Inteligjencë Artificiale? Zot i madh, kemi dështuar”, ka thënë aktorja e nominuar për “Oscar” kur i treguan videon e Tilly Norwood. “Kjo është me të vërtetë e frikshme. Ju lutem, mos e bëni këtë, ndaloni. Mos na i këputni lidhjet ndërnjerëzore”, ka thënë ajo. 

Në emisionin televiziv amerikan “The View”, komediania dhe aktorja Whoopi Goldberg ka thënë se publiku di të bëjë dallimin midis njerëzve të vërtetë dhe personazheve të krijuara nga Inteligjenca Artificiale. Ajo është skeptike se IA mund t’ua zërë vendin e aktorëve.

“Njerëzit ecin ndryshe, fytyrat dhe trupat tanë lëvizin ndryshe”, thotë ajo.

Edhe pse llogaria në Instagramin e Tilly Norwood ka qenë aktive prej muajsh, shfaqja e saj u bë veçanërisht e dukshme këtë javë në Hollywood, pas një artikulli të “Deadline” mbi fjalimin e krijueses së saj në një samit në Zürich.

Sipas “Deadline”, Elin van der Velden prezantoi një studio prodhimi IA, si dhe një agjenci të re për talente të IA-së – “Xicoia”. Ajo ka theksuar se kompanitë filmike dhe agjencitë në Hollywood tashmë po përqafojnë Inteligjencën Artificiale, por në heshtje, larg syve të publikut. Ajo gjithashtu paralajmëroi se së shpejti mund të ketë shpallje publike për projekte të mëdha që mbështesin këtë teknologji.

Lexo edhe: