Mijëra kinema nëpër botë u detyruan të mbyllen shkaku i koronavirusit. Në disa shtete po hapen dhe industria është duke ëndërruar për filma të suksesshëm që do t’i kthenin adhuruesit në ulëset e kinemasë.
Filmi me spiunë i regjisorit Christopher Nolan, që kushtoi 200 milionë dollarë, së fundmi ka publikuar trilerin me datën e shfaqjes për 17 korrik. Por, në një tjetër triler, është hequr data. “Tenet” nuk dihet se kur do të publikohet, ashtu siç janë në “mjegull” edhe filmat e tjerë. Është projekt i studios filmike “Warner Bros”, por rivalët dhe rrjetet e mëdha të kinemave po shpresojnë se filmi “Tenet” do të shënojë momentin kur adhuruesit fillojnë të prenë biletat për kthim në kinema. Në muajin mars u mbyllën të gjitha kinematë nga pandemia e koronavirusit. Këtu përjashtohen shtetet si Suedia, Tajvani dhe Koreja Jugore. Në javët e fundit, shtetet kanë njoftuar se kinematë mund ta fillojnë punën.
Mirëpo, gazetarja Louise Tutt nga revista “Screen International” ka raportuar se situata në terren është goxha e komplikuar. “Kinematë po shfaqin një përzierje të çuditshme. Pjesërisht janë filmat që po i shfaqnin para izolimit dhe pak tituj të rinj”, ka thënë Tutt. “Për shembull, në Korenë e Jugut është rilansuar filmi ‘The Greatest Showman’, ndërsa kinematë gjermane kanë filluar me transmetimin e komedive lokale”, ka shtuar ajo. “Distanca sociale dhe mungesa e filmave të rinj vënë në pah faktin se njerëzit nuk do të shkojnë në kinema. Shtetet evropiane apo amerikane mund të heqin izolimin, por vërehet se gjithçka ka ndryshuar”, ka thënë Tutt.
Kinematë në Danimarkë dhe Kroaci janë ato që u hapën të parat në muajin maj. Kinematë italiane do të hapen me numër të kufizuar prej 200 shikuesve, ose 1 mijë në transmetimet e filmave në ambient të hapur. Planet për hapjen e kinemave në Britani ende janë duke u diskutuar, por pritet që ato angleze të hapen më 4 korrik. Në fillim të muajit qershor janë hapur edhe kinematë finlandeze. Tero Koistinen nga Dhoma e Filmave në Finlandë ka thënë se vetëm 10 për qind e 350 kinemave janë të hapura. “Kinematë që janë hapur kryesisht janë të pavarura dhe kanë shfaqur filma si ‘Parasite’ dhe ‘Emma’”, ka thënë ai. “Por, tregu nuk është i mbushur edhe nëse është i lejuar në teori”, ka shtuar Koistinen.