Trajneri i Italisë në futsall, Salvo Samperi, ka thënë se Kosova është kundërshtare që kërkon vëmendje të madhe.
Ndeshja Kosovë – Itali luhet të premten dhe i takon Grupit 10 të “Mail Round”.
Është raundi i parafundit për ta siguruar Botërorin 2028 të futbollit në sallë.
Javën tjetër luhet ndeshja e dytë ndërmjet Italisë dhe Kosovës.
“Kosova është ekip i fortë, ekip që meritonte të fitonte në Gjeorgji dhe është përmirësuar kohët e fundit. Duke përfshirë portierin në lojën sulmuese, kosovarët kanë një mori opsionesh të cilave do të duhet t’u kushtojmë vëmendje të madhe në mbrojtje”, ka thënë Samperi të martën për faqen e federatës italiane.
Italia të martën ka mbërritur në Prishtinë, ku edhe do ta zhvillojë fazën vendimtare të përgatitjeve.
Përgatitjet i ka nisur edhe Kosova që synon dy fitore kundër italianëve.
Raundin kryesor kualifikues, Kosova e mbyll në shtëpi më 24 shkurt ndaj Gjeorgjisë. Gjeorgjinë e ka mposhtur në udhëtim, 3:2 më 14 tetor.
Fituesit e 12 grupeve dhe katër më të mirat e pozitave të dyta, avancojnë në “Elite Round”. Tetë përfaqësueset tjera të vendeve të dyta luajnë në plejof, ndërsa katër fituesit e plejofit avancojnë tutje po ashtu.