Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Kevin Spacey i bindur se do ta pastrojë emrin nga akuzat për sulm seksual

Aktori i njohur, Kevin Spacey, është i bindur se do ta pastrojë emrin pas akuzave për sulm seksual.

Ish-ylli i serialit “House of Cards” është paditur nga agjencia publike për kryerjen e ndjekjeve penale, “Crown Prosecution Service”, në Britani të Madhe. Ai akuzohet për një sërë incidentesh të cilat besohet se kanë ndodhur gjatë periudhës 2005-2008 në Londër.

Dhe pas pretendimeve se do të ekstradohej zyrtarisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’u përballur me akuzat atje, aktori 62-vjeçar tani me këmbëngulje thotë se do të fluturojë vullnetarisht drejt Anglisë për t’u paraqitur në gjykatë, raportoi portali “Female”.

Në një deklaratë për emisionin “Good Morning America”, Spacey tha: “Unë e vlerësoj deklaratën e agjencisë ‘Crown Prosecution Service’ në të cilën ata me kujdes ia kujtuan mediave dhe publikut se unë kam të drejtë për një gjykim të drejtë, dhe jam i pafajshëm deri të vërtetohet e kundërta. Derisa jam i zhgënjyer me vendimin e tyre për të vazhduar me padinë kundër meje, unë do të paraqitem vullnetarisht në gjykatë në Britani të Madhe sa më shpejtë që është e mundur, dhe do ta mbrojë veten përball të gjitha akuzave, për çka jam i bindur se do ta vërtetojë pafajësinë time”.

Javën e kaluar u bë e ditur se pas shqyrtimit të provave të mbledhura nga Policia Metropolitane, Kevin Spacey, do të përballej me akuza për sulm seksual ndaj tre burrave, dhe një tjetër padi shtesë që e akuzon aktorin se e ka bërë që një person të përfshihet në aktivitet seksual pa pëlqim.

Ylli i filmit “American Beauty” i ka mohuar të gjitha akuzat kundër tij.

Edhe Vazhdojnë seancat gjyqësore kundër aktorit Kevin Spacey Showbiz Vazhdojnë seancat gjyqësore kundër aktorit Kevin Spacey

Akuzat kundër yllit hollywoodian filluan në vitin 2017, kur një aktor i quajtur Anthony Rapp deklaroi se Spacey e kishte ngacmuar seksualisht kur ai ishte vetëm 14-vjeçar. Spacey i kishte kërkuar falje publike Rappit, ani pse ka deklaruar se nuk i kujtohet të ketë ndodhur kjo ngjarje, e cila supozohet se ka ndodhur gjatë kohës kur aktori ishte nën ndikimin e alkoolit. Afërsisht 15 persona të tjerë kanë bërë akuza të ngjashme kundër aktorit, prej kohës kur Rapp foli publikisht për përvojën e tij të hidhur. Megjithëkëtë asnjë prej këtyre akuzave nuk ka çuar në ndjekje penale të suksesshme.

Por, nga momenti kur është bërë shënjestër e padive gjyqësore për ngacmim seksual dhe sjellje të pahijshme, aktori i shquar hollywoodian i ka humbur disa projekte të mëdha filmike, dhe besohet se do të jetë pothuajse e pamundur për të që të rikthehet në skenën e filmit për një të gjatë.