Ylli i kinematografisë, Kevin Spacey, e ndoqi seancën e radhës gjyqësore në Londër rreth rastit të ngritur kundër tij për sulm seksual, një ditë pasi një nga akuzuesit në sallën e gjyqit, e përshkroi aktorin e shpërblyer me “Oscar” si një grabitqar “mashtrues”, të cilin djemtë e rinj dhe të hijshëm ishin paralajmëruar që ta shmangin atë.
Personi në fjalë, i cili në fillim të viteve 2000 kishte punuar me Kevinin në teatrin “Old Vic” në kryeqytetin britanik, tha se aktori amerikan i kishte ofruar ta prezantonte me yjet e Hollywoodit. Por, në vendin e punës tashmë ishin përhapur fjalët që djemtë e rinj duhet të jenë të kujdesshëm rreth Spaceyt.
“Të gjithë e dinin se ai nuk kishte qëllime të mira. Nga fillimi ai tentoi të më mashtrojë”, dëgjohet duke thënë dëshmitari në fjalë në një video të intervistës së tij policore, e cila u transmetua para jurisë.
Paditësi, i cili sipas ligjit britanik nuk mund të identifikohet për publikun, është njëri nga katër burrat që po e akuzojnë yllin e serialit “House of Cards” për ngacmim seksual.
63-vjeçari është deklaruar i pafajshëm për ndaj dhjetëra akuzave për ngjarje që datojnë nga viti 2001 deri në vitin 2013. Akuzat përfshijnë sulm seksual, sulm të pahijshëm dhe detyrimin e një personi për t’u përfshirë në aktivitet seksual pa pëlqimin e tij. Ai mund të shkojë në burg nëse dënohet, megjithëse Spacey i tha një reviste gjermane se ai pret që t’i ofrohen punë në projekte filmike “në momentin që do të lirohet nga këto akuza”.
Edhe
Aktori i njohur paditet në Britani për shtatë vepra të tjera seksuale
Aktori, i cili posedon prona banimi në SHBA dhe Londër, aktualisht është i liruar me kusht. Seancat gjyqësore në gjykatën e Londrës pritet të zgjasin katër javë.
Përgatiti: Edona Binaku