Showbiz

Kevin Spacey e ndoqi seancën e parë gjyqësore në Londër

Ylli amerikan, Kevin Spacey, e siguroi lirimin me kusht në paraqitjen e tij të parë në gjykatën e Londrës në mëngjesin e së enjtes (16 qershor), ku aktori po përballet me padi për sulm seksual.

62-vjeçari, Spacey, nuk dha ndonjë dëshmi para gjykatësit përveç konfirmimit të emrit, datës së lindjes dhe adresës së qëndrimit në kryeqytetin britanik, derisa data e seancës së radhës gjyqësore u caktua për 14 korrik, raporton agjencia e lajmeve “AP”.

Image

Aktorit të famshëm hollywoodian po ashtu iu dha lirimi me kusht, pasi avokati i tij i tha gjykatës se do t’i duhej të kthehej në Shtetet e Bashkuara midis datave të gjyqit, për të punuar dhe për të takuar familjen e tij.

Muajin e kaluar, ish-ylli i serialit “House of Cards” u ngarkua me katër padi për sulm seksual, dhe një akuzë e pestë për detyrimin e një personi që të përfshihet në akt seksual pa miratimin e tij.

Avokatët e Spaceyt deklaruan në gjykatë se ai i mohon fuqishëm të gjitha akuzat.

Kevin Spacey e gëzon një karrierë të suksesshme në Hollywood. Ai i ka fituar dy shpërblime “Oscar” për rolet në filmat, “The Usual Suspects” dhe “American Beauty”, si dhe shërbeu si drejtor artistik i teatrit “Old Vic” të Londrës, nga viti 2003 deri më 2015.

Aktori po ashtu ka luajtur në serialin e famshëm politik të platformës Netflix, “House of Cards”, nga i cili ishte pushuar në momentin që filloi të akuzohet për sulm seksual nga disa persona të ndryshëm. Karriera e Spaceyt pësoi rënie vjetëve të fundit, por kjo nuk e ndali aktorin që të provojë dhe t’i rikthehet projekteve kinematografike.