Showbiz

Kerry Washington mundohet t’i mbrojë fëmijët nga rrjetet sociale

Kerry Washington

Kerry Washington

Foto: Associated Press

Aktorja e njohur, Kerry Washington, ka treguar pse nuk poston foto të fëmijëve të saj në rrjete sociale.

48-vjeçarja, që ka dy fëmijë me bashkëshortin Nnamdi Asomugha, Isabellën 10-vjeçare dhe Calebin 8-vjeça, e që është edhe njerkë për vajzën e burrit të saj, thotë se vendimi nuk ka qenë i lehtë.

“Ishte shumë e vështirë në fillim. Shikoja një foto të fëmijës tim dhe ia dërgoja nënës sime duke i thënë: ‘Kjo foto duhet të jetë në botë, por nuk dua ta postoj!’ Kur ata filluan të shkonin në shkollë dhe e kuptova se nuk mund t’i mbroja çdo moment të ditës, ishte e frikshme. Por është në rregull”, ka thënë ajo për revistën InStyle.

Aktorja ka treguar se edhe pse fëmijët e saj e shoqërojnë shpesh në aktivitete publike, ajo nuk ndan imazhe të tyre online.

“Vajza ime 11-vjeçare ishte me mua këtë fundjavë në koncertin e Beyoncés… por unë nuk postoj foto të saj. Fëmijët tanë duhet të jenë ata që janë, jo ata që bota vendos se duhet të jenë”, ka shtuar Washington.

E njëjta gjë vlen edhe për martesën e saj.

Edhe pse ajo dhe Namdi janë bashkë që nga viti 2013, ata e mbajnë jetën private larg rrjeteve sociale.

“Pothuajse dy vjet më parë, ishim në një sfilatë couture në Itali dhe ekipi i shtëpisë së modës na bëri një foto. I thashë: ‘Kjo foto është shumë e bukur, dua ta postoj.’ Dhe ai u habit: ‘Vërtet?’ Ne kishim 10 vjet të martuar dhe asnjëherë nuk kishim postuar një foto tonën së bashku. Ne të dy jemi aktorë që mundohemi të tregojmë sa më shumë të vërtetë përmes personazheve tanë, prandaj ndihemi më mbrojtës ndaj përditshmërisë sonë. Ajo nuk është për publikun”, u shpreh ajo.

Megjithatë, Washington e vlerëson fuqinë e rrjeteve sociale si mjet për komunikim.

“Kam një drejtoreshë të jashtëzakonshme të rrjeteve sociale, Emily Kitching, që është gjeniu pas shumë prej gjërave që krijoj online. E mendoj shumë, sepse rrjetet e mia janë vendi ku komunikoj gjërat që kanë rëndësi për mua. Duam që të jetë hapësirë argëtimi dhe frymëzimi. Mendoj se është një mënyrë shumë e rëndësishme për të qëndruar e lidhur me botën”, ka thënë ajo.