Aktorja e njohur Jennifer Lawrence ka thënë se ajo që po ndodh në Gazë është gjenocid.
Fituesja e çmimit “Oscar” ka thënë se është e tmerruar nga lufta që po bën Izraeli dhe ka thënë se është tejet e frikësuar për lirinë e shprehjes në SHBA, ka raportuat The Guardian.
Ndërkohë që po fliste në një konferencë për shtyp për filmin “Die, My Love” në festivalin e filmit San Sebastian, Lawrence u është përgjigjur pyetjeve të disa gazetarëve rreth cështjeve politike, pyetje këto që u munduan të anashkaloheshin nga moderatorët e festivalit, ka shkruar Deadline.
Kur u pyet për dhunën e Izraelit në Gazë, të cilën shumë ekspertë nga bota e kanë quajtur gjenocid, Lawrence ka thënë se është e tmerruar.
“Jam e tmerruar. Është tmerruese. Ajo që po ndodh nuk është asgjë më pak se gjenocid dhe është e tmerrshme”, ka thënë aktorja.
Ajo ka shtuar se gjëja që e bën të mërzitet shumë është mosrespekti nga diskursi i politikës amerikane dhe se si kjo gjë do të normalizohet për fëmijët.
“Do të jetë diçka normale për fëmijët, që politikanët gënjejnë”, ka thënë ajo.
Bombardimet që Izraeli ka bërë në Gaza kanë vrarë më shumë se 65 mijë njerëz, kanë plagosur më shumë se 160 mijë dhe kanë shkatërruar pjesën më të madhe të territorit që kur sulmi i udhëhequr nga Hamasi vrau 1200 njerëz në Izrael më 7 tetor të vitit 2023.
Lawrence u ka bërë thirrje të pranishmëve në festival që të “qëndrojnë të fokusuar në atë se kush duhet të mbahet përgjegjës” dhe jo ta drejtojnë inatin kah aktorët e artistët.
Sipas The Guardian duket se Lawrence po mbështet nismën e aktorëve, që përmes një letre publike që kanë nënshkruar shumë emra të njohur të Hollywoodit, duan ta bojkotojnë bashkëpunimin me çdo institucion izraelit të filmit.
Por artistja nuk është në mesin e artistëve që kanë nënshkruar.
Kur u pyet se çfarë mendon për fjalën e lirë në SHBA ajo ka thënë se “është e sulmuar”.
“Liria jonë e fjalës dhe e të shprehurit është sulmuar dhe mendoj se bota e filmit dhe përdorimi i zërit në mënyrë artistike, bërja e festivaleve si ky ku mund të mësojmë nga njëri-tjetri e të kuptojmë se të gjithë jemi të lidhur, kemi rendësi dhe meritojmë empati e liri, janë shumë të rëndësishme”, ka thënë ajo.