Aktorja, Jennifer Aniston, ka treguar pse nuk ka zgjedhur të birësojë fëmijë gjatë përpjekjeve të saj shumëvjeçare për t’u bërë nënë, duke theksuar se gjithmonë ka dashur të kishte një fëmijë me ADN-në e saj.
Aktorja 56-vjeçare, e njohur për rolin e saj në serialin “Friends”, ka folur hapur për betejën 20-vjeçare me infertilitetin, duke zbuluar se ka kaluar nëpër shumë cikle të pasuksesshme të trajtimeve IVF. Në një intervistë të fundit në podcastin Armchair Expert, ajo ka shpjeguar pse nuk ka zgjedhur birësimin si alternativë, ka raportuar FemaleFirst.
“Kur njerëzit më thonë: ‘Por mund të birësosh’, unë u them: ‘Nuk dua të birësoj’. Dua ADN-në time në një njeri të vogël. Kështu e kam dashur gjithmonë, sado egoiste që mund të tingëllojë”, ka thënë Aniston.
Kur bashkë-prezantuesja, Monica Padman, e pyeti nëse tani ka gjetur paqe pas gjithë asaj që ka kaluar, Jennifer u përgjigj duke thënë se vet fakti që nuk mund të bësh asgjë dhe e kupton që nuk mund ta kontrollosh, është paqësor.
“Është shumë paqësore. Por ka një pikë ku e kupton që nuk ke më asnjë kontroll mbi këtë. Nuk ka asgjë që mund të bësh”, ka thënë ajo.
Aktorja ka pranuar se ka pasur marrëdhënie me burra me të cilët mendonte se “mund të kishin bërë disa fëmijë të mrekullueshëm”, por shtoi se mendimi për t’u bërë nënë zakonisht “i kalonte për tre sekonda”.
“Thjesht nuk ishte në plan, çfarëdo që të ketë qenë ai plan. Është shumë emocionale, sidomos në momentin kur të thonë ‘kaq ishte’, sepse është një ndjenjë e çuditshme kur e kupton se ka mbaruar”, ka thënë ajo.
Ylli i serialit “The Morning Show” ka folur për herë të parë për përpjekjet e saj për të mbetur shtatzënë në një intervistë.
“Në fund të të tridhjetave dhe në të dyzetat e mia, kam kaluar nëpër periudha shumë të vështira. Po përpiqesha të mbetesha shtatzënë. Ka qenë e tmerrshme. Kam bërë IVF, kam pirë çaje kinezë, çdo gjë që mund të provoja. Do të kisha dhënë gjithçka sikur dikush të më kishte thënë: ‘Ngri vezët. Bëje këtë për veten’. Por nuk të shkon ndërmend. Tani anija ka lundruar, por s’kam asnjë pendim”, ka thënë ajo.
Në një intervistën për Harper’s Bazaar UK, Aniston ka thënë se e ka lënduar mënyra si media ka krijuar një “narrativë të rreme” për jetën e saj.
“Ata nuk e dinin historinë time, apo çfarë kisha kaluar për 20 vjet me radhë për të krijuar një familje, sepse nuk dal në publik e t’u tregoj njerëzve për gjendjen time shëndetësore. Nuk është puna e askujt. Por vjen një pikë ku nuk mund të mos e dëgjosh, këtë narrativë se unë s’dua fëmijë sepse jam egoiste apo punoj shumë”, ka thënë ajo.