Aktorja e njohur e serialit “Friends”, Jennifer Aniston, ka treguar se për gati dy dekada ka luftuar për të mbetur shtatzënë, duke hedhur poshtë “narrativën e rreme” se ajo nuk ka dashur kurrë fëmijë.
Në një intervistë për numrin e nëntorit të revistës së njohur Harper’s Bazaar UK, 56-vjeçarja ka thënë se askush nuk e di nëpër çfarë ka kaluar për 20 vjet me radhë.

“Ata nuk e dinin historinë time, apo çfarë kisha kaluar për 20 vjet për të krijuar një familje, sepse nuk dal publikisht t’u tregoj njerëzve problemet e mia mjekësore”, ka thënë ajo.
Aniston ka shtuar se ishte e lodhur nga thashethemet që e paraqitnin si të ftohtë dhe të fokusuar vetëm te karriera.
“Kjo nuk është puna e askujt. Por vjen një moment kur nuk mund të mos e dëgjosh këtë rrëfim të rremë se unë nuk dua të kem fëmijë, nuk dua të kem familje, sepse jam egoiste, një punëtore e sëmurë nga puna. Sigurisht që më prek, jam njeri. Ne të gjithë jemi njerëz. Prandaj mendova: ‘Pse jo, le ta them të vërtetën!’”, ka thënë ajo.

Aktorja ka treguar se ka vendosur të flasë hapur për përpjekjet e saj të dështuara me IVF (fertilizim in vitro) për t’i ndihmuar edhe gratë e tjera që po kalojnë të njëjtën gjë.
“I njihja shumë gra që në atë kohë po përpiqeshin të mbeteshin shtatzënë, po kalonin procesin e IVF-it.
Prandaj, mendova se nuk e bëja vetëm për veten time, por edhe për çdo grua tjetër që po lufton me të njëjtën gjë”, ka thënë ajo.

Megjithëse për vite të tëra është përballur me thashetheme rreth jetës së saj private, ylli ka thënë se me kalimin e moshës është mësuar të mos i japë rëndësi.
“Sa më shumë që rritem, aq më pak më intereson ta korrigjoj narrativën, sepse e di që e vërteta del vetë në shesh. Cikli i lajmeve është aq i shpejtë, sa gjithçka harrohet. Sigurisht, ndonjëherë më lind ndjenja e drejtësisë, kur thuhet diçka e pavërtetë dhe dua ta sqaroj. Por pastaj mendoj, a ia vlen vërtet? Familja ime e di të vërtetën time, miqtë e mi e dinë të vërtetën time”, ka thënë ajo.

Aniston kishte zbuluar për herë të parë në vitin 2022 se kishte kaluar trajtime të pasuksesshme me IVF dhe se kishte dëshiruar t'i kishte ngrirë vezët më herët.
“Në fund të të 30-ave dhe gjatë të 40-ave, kalova një periudhë shumë të vështirë. Po përpiqesha të mbetesha shtatzënë. Gjatë gjithë atyre viteve me thashetheme e spekulime … ishte shumë e rëndë. Po bëja IVF, pija çajra kinezë, çdo gjë që mund të provoja. Do të kisha dhënë gjithçka sikur dikush të më kishte thënë: ‘Ngriji vezët, bëji një nder vetes.’ Por nuk mendon për këto gjëra në atë kohë. Ja ku jam sot. Anija ka lundruar, por nuk kam asnjë pendesë”, pati thënë në atë kohë ajo.
