Showbiz

Jennifer Aniston e Gwyneth Paltrow bëjnë thashetheme për Brad Pittin

Jennifer Aniston

Jennifer Aniston në revistën Vanity Faire

Aktorja Jennifer Aniston, ka zbuluar se ajo dhe kolegia e saj, Gwyneth Paltrow, nuk i rezistojnë dot pa folur për ish-partnerin e përbashkët, aktorin, Brad Pitt.

Ylli i serialit të njohur “Friends” ishte martuar me aktorin në vitin  2000 dhe u divorcua më 2005, ndërsa Paltrow ishte e fejuar me Pittin në vitet ’90. Në një intervistë për Vanity Fair, Jennifer u pyet nëse i ka diskutuar ndonjëherë gjërat rreth Pittit me themeluesen e brendit “Goop”.
 

“Oh, sigurisht. Si mund të mos e bëjmë? Ne jemi vajza. Gjithmonë shkëmbejmë këshilla, ‘Çfarë po bën për këtë? Çfarë po bën për atë? Ke ndonjë mjek të ri për këtë?’”, ka thënë Aniston.

Divorci i Anistonit dhe Pittit më 2005 bëri bujë të madhe, pasi ai u lidh me kolegen tjetër nga filmi “Mr. and Mrs. Smith”, Angelina Jolie.

“Ishte lexim shumë ‘i shijshëm’ për njerëzit. Nëse nuk kishin telenovela, kishin tabloidët. Më vjen keq që ndodhi, por ndodhi. Dhe unë e mora shumë personale”, ka thënë Aniston.
 

Aktorja 56-vjeçare ka pranuar se nuk e kishte forcën të mos ndikohej nga thashethemet dhe vëmendja e mediave.

“Ne jemi qenie njerëzore, edhe pse disa nuk duan ta besojnë. Mendojnë: ‘E ke pranuar këtë jetë, prandaj duroje.’ Por, ne nuk kemi nënshkruar për këtë”, ka thënë ajo.

Intervista e re për Vanity Fair vjen 20 vjet pasi Aniston ka dhënë intervistën e parë për këtë revistë pas ndarjes nga Pitti, në artikullin me titull “E pamposhtura Jennifer Aniston”.

“Nuk e kam parë atë artikull prej kohësh. Vetëm e mbaj mend përvojën e realizimit të tij, ishte disi tronditëse. Ishte një periudhë shumë e brishtë. Por, po, ishte diçka për kujtime”, ka thënë aktorja.
 

Aniston ka kujtuar edhe xhirimet e komedisë romantike “The Break-Up” më 2006, ku luajti me Vince Vaughn, si një përvojë të jashtëzakonshme.

“Mbase sapo kisha kaluar një ndarje, atë ndarjen e vogël, jam e sigurt që askush nuk e mban mend. Ishte çliruese të kaloja direkt në atë projekt. Kur më erdhën me ofertën, ishin pak nervozë, mendonin: ‘A është e pandjeshme? E papërshtatshme?’ Por unë e pashë si mundësi të shkëlqyer”, ka thënë ylli.

Sipas saj, filmi e ndihmoi emocionalisht.

“E dija që do të më shërbente emocionalisht, si njeri. Dhe do t’i shërbente skenarit dhe personazhit po ashtu”, ka thënë ndër të tjera ajo.