Showbiz

Clooney: Fëmijëve të mi s’u intereson fama ime, duan ta shohin Taylor Swiftin

George dhe Amal Clooney

George dhe Amal Clooney

Foto: Associated Press

Aktori George Clooney ka treguar me humor se fëmijëve të tij nuk u bën aspak përshtypje fakti që ai është një prej emrave më të mëdhenj të Hollywoodit. Sipas tij, ata thjesht duan të shohin këngëtaren Taylor Swift në koncert.

Aktori 64-vjeçar, i cili ka binjakët tetëvjeçarë, Ella dhe Alexander, me bashkëshorten e tij Amal Clooney, ka thënë për E News! se fëmijët e tij nuk e vlerësojnë famën që ai ka ndërtuar ndër vite.

“Ata duan të shkojnë te Taylor Swift. Pjesa më qesharake është që ata nuk kanë asnjë ide për personazhet që njoh. Robert De Niro mund të jetë në shtëpi dhe ata thonë ‘Kush është ky?’ Nuk u intereson!”, ka thënë ai me humor.

Aktori i njohur nga seriali “ER” ka bërë debutimin e tij në teatër me shfaqjen “Good Night, and Good Luck”, por ani se nuk arriti ta fitojë çmimin “Tony” për “Aktorin më të Mirë”, Clooney ka thënë se ndihet jashtëzakonisht me fat vetëm që e ka përkrahjen e bashkëshortes së tij.

“Kam një partnere të jashtëzakonshme për të cilën jam shumë krenar. Është njeriu më i guximshëm që kam takuar ndonjëherë në jetën time. Jam thellësisht krenar për të dhe fakti që ajo është krenare për mua, më bën të ndihem me fat pa masë”, ka thënë ai.

Për rolin e tij si Edward R. Murrow në shfaqjen teatrale, Clooney u detyrua të rruajë flokët e tij të hirta karakteristike dhe e mori me sportivitet këtë ndryshim.

“Duhej t’i prisja të gjitha, që t’i largoj komplet. Ajo ngjyra e zezë e flokëve… duhej ta hiqja me forcë”, pati thënë ai.

Megjithatë, ai u tregua i vendosur që të rikthehej në pamjen e tij të zakonshme para mbrëmjes së ndarjes së çmimeve “Tony”.

 “E kemi një shfaqje pasdite dhe deri sa të shkojmë në 'Tonys' në mbrëmje, do ta kem hequr. Ndoshta do të jem me kokë të rruar!”, ka thënë ai gjatë një interviste në “Late Night with Seth Meyers”.

Bashkëshortja e Clooneyt, Amal, nuk e pëlqeu shumë stilin e ri të tij. 

“Nuk është pamja ime e preferuar dhe bashkëshortja ime e gjen shumë qesharake. Sinqerisht, asgjë nuk të bën të dukesh më i vjetër sesa të jesh 63 vjeç dhe t’i lyesh flokët!”, ka treguar aktori në një intervistë për CBS Mornings.