Showbiz

Adam Sandler e George Clooney kishin për qëllim të bëheshin të famshëm

Adam Sandler dhe George Clooney

Adam Sandler dhe George Clooney

Foto: Associated Press

Komediani i njohur, Adam Sandler, ka pranuar se në fillim hyri në aktrim vetëm sepse donte të bëhej i famshëm, ashtu si idhulli i tij, aktori i njohur i komedisë, Eddie Murphy.

59-vjeçi u shpreh për Sunday Times Culture se që në fillim fama ishte qëllimi i tij kryesor.

“Si fëmijë, 100 për qind doja të isha i famshëm. Kur isha 17 vjeç dhe nisa stand-up, doja atë që kishte Eddie Murphy, të ecje në rrugë dhe njerëzit të thoshin ‘Oh Zot!’. Mendonim se kjo do t’u tregonte shokëve dhe prindërve se e kishim bërë. Ky ishte qëllimi im i parë”, ka thënë Sandler.

Por me kohën, qëndrimi i tij ndryshoi.

“Po, doja famë, por pas disa vitesh fillon ta kuptosh që do edhe të jesh i mirë. Dhe ai bëhet qëllimi”, ka tregyar ylli.

Aktori, i cili ka dy vajza, Sunny, 19 vjeç, dhe Sadie, 16 vjeç, ka pranuar se puna mund të jetë e vështirë, sepse nuk mund të lejojë problemet personale ta ndikojnë gjatë xhirimeve.

“Të luash një rol të lehtë kur je duke ndier errësirë nuk është e lehtë… S’ka pjesë timen që zgjohet dhe thotë: ‘Do të doja të mos më kishte ndodhur kjo’. Por ke jetë reale. Ke ulje-ngritje si të gjithë. Mund të jesh në dhomë, por mendja të jetë diku tjetër për shkak të punës. Por kështu është çdo punë”, ka thënë ai.

Aktori, George Clooney, i cili luan bashkë me Sandlerin në filmin “Jay Kelly”, u pajtua me Sandlerin duke thënë se fillim hyri në aktrim vetëm se e donte famën.

Ai kujtoi ditët e gjata në xhirimet e serialit “E.R.”

“Nuk mund të jesh i sëmurë. Nuk kam munguar kurrë asnjë ditë”, ka thënë ai.

Clooney ka treguar edhe një moment të dhimbshëm nga kolegia e tyre Julianna Margulies.

“Një ditë mori një telefonatë në set dhe i thanë se dikush që e donte shumë kishte vdekur. Ajo po qante. Por duhej të bënim një skenë komike. Ajo e mbylli telefonin, fshiu lotët, e realizoi skenën në mënyrë perfekte, dhe pastaj u kthye dhe qau. Nuk mund t’i lësh njerëzit të të shohin duke u thyer”, ka thënë ai.

Ndërkohë, Sandler ka pranuar se sot nuk është më aq e lehtë të miratohet një komedi sa dikur.

“Entuziazmi nuk është aq i lartë sa 15 vjet më parë. Është çështje numrash, dhe komeditë thjesht nuk po godasin si dikur. Sidoqoftë, shumë po prodhohen, janë të lira për t’u bërë. Por nuk është më si më parë”, ka thënë aktori.