Aktori hollivudian George Clooney, 64 vjeç, ka reflektuar mbi marrëdhënien mes yjeve të kinemasë dhe fansave që rriten duke i parë në ekran, teksa flet për filmin e tij të ri në Netflix, Jay Kelly, ku luan një ikonë të imagjinuar të kinemasë me të njëjtin emër.
“Ne jetojmë jetën tonë përmes aktorëve dhe filmave që duam. Dhe gjëja e çuditshme është se njerëzit presin që të mos plakesh kurrë. Më ndalon dikush dhe më thotë: ‘Je shumë më i vjetër se mendoja.’ Dhe unë them: ‘Po çfarë prisje? Kam 64 vjeç!’”, ka thënë ai.
Aktori tregoi se në një skenë të filmit, personazhi i tij shikon momente nga jeta e vet përmes roleve të mëparshme të Clooneyt në filma të vërtetë një ide që, sipas tij, pasqyron mënyrën si publiku lidh kujtime personale me figurat e famshme.
“Sa më shumë që plakesh, aq më shumë e kupton sa shpejt ka kaluar koha. Për mua duket si dje,” – tha ai. – “Prandaj më pëlqen ajo pjesë kur një fans i thotë personazhit tim: ‘Kur të shoh ty, shoh gjithë jetën time.’ E kuptoj plotësisht. Kështu ndihesha edhe unë kur u bëra mik me Gregory Peck – e shihja dhe mendoja: ‘Ky është njeriu që luajti në To Kill A Mockingbird!’”
Clooney shtoi se një nga pjesët më të këndshme të filmit është përfshirja e njerëzve të rëndësishëm nga jeta e tij e vërtetë.
“Giovanni [Zeqireya], tipi që luan truprojën time në film, është vërtet truprojë im prej 30 vitesh,” zbuloi ai. “Është mik i dashur, drejton shtëpinë tonë në Itali. U njohëm në Festivalin e Filmit në Venecia.”
Duke qeshur, aktori shtoi: “Për një skenë ku vrapojmë nëpër një fushë, e bëmë tri herë. Dhe unë i them: ‘Jam 64 vjeç, s’mund të vrapoj më! Dhe ti je 71!’”