Aktori, George Clooney ka treguar arsyen pse ai dhe bashkëshortja e tij, Amal Clooney, nuk janë grindur kurrë gjatë më shumë se dhjetë vjetësh bashkë.
64-vjeçari ka thënë se me kalimin e viteve ka mësuar të mos merakoset për gjëra të vogla dhe se “nuk ka më nevojë të ketë gjithmonë të drejtë”.
Clooney, i cili është me avokaten e njohur të të drejtave të njeriut që nga viti 2013 dhe kanë bashkë dy fëmijë, në një intervistë për CBS News ka theksur se nuk është grindur asnjëherë me bashkëshorten.
“Kur je më i ri, do që të kesh të drejtë për çdo gjë, e di si është, ‘mos e lyej murin me atë ngjyrë’. Por unë dhe Amal, të gjithë mërziten kur e them, nuk kemi pasur kurrë një grindje. Asnjëherë. Dhe një pjesë e arsyes është sepse jam në atë pikë të jetës ku, nëse ajo dëshiron ta lyejë murin me të kuqe, nuk më intereson. Arrin në një moshë ku thua: ‘Pse do të duhej të ishte kjo temë diskutimi apo zënke?’”, ka thënë ylli.
Ai shtoi me humor se kur ishte më i ri, do të kishte gjetur arsye për t’u mburrur apo për të kundërshtuar, por tani mendon se këto gjëra nuk kanë rëndësi dhe se nuk i interesojnë.
Aktori i njohur nga seriali “E.R.” ka treguar gjithashtu se që prej se janë bërë prindër të binjakëve Alexander dhe Ella, 8 vjeç, ai dhe Amal kanë hequr dorë nga udhëtimet në vende të rrezikshme.
“Duhet të jesh i kujdesshëm, apo jo? Nuk mund të sillesh si dikur. Amal dhe unë u desh të ndryshonim synimet tona për vendet ku shkonim. Më pëlqente të shkoja në vende të rrezikshme, si në malet Nuba, në Darfur e në Abyei, që ishin zona lufte, dhe më dukej emocionuese. Ndërsa Amal ka qenë dy vjet në një bunker në Bejrut duke ndjekur çështje gjyqësore. Por pasi i bëmë fëmijët, duhej të merrnim vendime ndryshe. Duhej t'i ndryshonim rregullat”, pati thënë ai për revistën People.
Ylli i filmit “Gravity” ka treguar gjithashtu se një nga arsyet pse u largua nga Hollywoodi ishte dëshira që fëmijët e tij të kishin një jetë sa më normale.
“Ne jetojmë në një fermë në Francë. Një pjesë të madhe të fëmijërisë sime e kam kaluar në fermë, dhe si fëmijë e urreja idenë. Por tani, për ta, është perfekte, nuk janë gjithë kohën në iPad, hanë darkë me të rriturit dhe duhet të çojnë pjatat e tyre në kuzhinë. Kanë jetë shumë më të mirë. Isha i shqetësuar për rritjen e tyre në Los Angeles, në kulturën e Hollywoodit. Mendoja se kurrë s’do të kishin mundësi të drejta në jetë”, pati thënë ai për Esquire.