Aktori 64-vjeçar ka shijuar sukses të madh në Hollywood, duke u bërë një nga emrat më të njohur dhe më të paguar të industrisë së filmit. Por George Clooney thotë se karriera e tij është ndërtuar po aq edhe mbi dështimet, përfshirë këtu edhe filmin e vitit 1997, “Batman and Robin”.
I pyetur se nga cili projekt ka mësuar më së shumti, Clooney, i cili në atë film luajti përkrah Arnold Schwarzeneggerit, Uma Thurmanit dhe Alicia Silverstoneit, i tha revistës People: “Batman and Robin! Prej atij filmi mësova shumë. Nuk mëson nga suksesi, mëson nga dështimi, dhe pastaj gjatë rrugës duhet t’i gjesh zgjidhjet. Prandaj është i dobishëm.”
Clooney e portretizoi Batmanin në filmin e regjisorit Joel Schumacher, i cili u prit me kritika kryesisht negative. Aktori ka qenë i hapur edhe më herët për pakënaqësinë ndaj interpretimit të tij në këtë projekt.
Në një intervistë për The Hollywood Reporter në vitin 2019, ai tha: “Nuk isha mirë në atë film, dhe ai nuk ishte një film i mirë. Ajo që mësova nga ai dështim ishte se duhej të mësoja sërish mënyrën se si punoja. Nuk isha më thjesht një aktor që merrte një rol; mbaja përgjegjësi për vetë filmin.”
Si rezultat, ai vendosi të zgjidhte projekte më të kujdesshme, si Three Kings, Out of Sight dhe O Brother, Where Art Thou?
Më herët gjatë vitit, Clooney ka treguar se nuk është më në “garën për sukses”. Ai thotë se tashmë ka bërë karrierën e tij dhe po i jep përparësi familjes.
Ylli i Hollywoodit, i cili me bashkëshorten Amal ka binjakët 8-vjeçarë, Ella dhe Alexander, i tha Extra:
“Nuk jam më në atë garë të ethshme për të pasur sukses. Karrierën e kam bërë në shumë drejtime dhe gjërat janë qetësuar, ndaj mund të jem më shumë në shtëpi me fëmijët. Është argëtuese, dhe jam ende mjaft i ri për të vrapuar pas tyre… për pak kohë edhe mund ta bëj.”
George dhe Amal së fundmi shënuan 11-vjetorin e martesës. Aktori zbuloi se këtë përvjetor e festuan me një darkë të qetë.
Ai ka thënë më herët se suksesin e tij e sheh si kombinim mes punës dhe fatit.
Për AARP, Clooney u shpreh: “Mësimi i vetëm i jetës është të vësh bast mbi veten. Kur të vijnë mundësi, duhet të veprosh. Kam bërë shumë fat në jetë, por besoj edhe se njeriu krijon vetë mundësi për fat. Sa më shumë mundësi krijon, aq më shumë prej tyre i qëllon.”