Qeveria britanike pritet të diskutojë mundësinë e ndryshimit të ligjit për moshën e pëlqimit seksual, pas rastit të komedianit Russell Brand, i cili u dënua me 10 vjet e gjashtë muaj burg për përdhunim dhe sulme seksuale.
Sekretari për Punë dhe Pensione, Pat McFadden, ka thënë se propozimi për vendosjen e një kufiri të diferencuar të moshës së pëlqimit seksual është ngritur dhe do të diskutohet nga qeveria.
Debati është nxitur nga Mia Latter, njëra prej gjashtë grave që kishin ngritur akuza ndaj Brandit në vitin 2023. Ajo ka treguar se ishte 16 vjeçe kur u njoh me komedianin, i cili në atë kohë ishte 30 vjeç, dhe tani kërkon që marrëdhëniet mes personave 16 dhe 17 vjeç me të rritur shumë më të moshuar të konsiderohen vepër penale.
Sipas propozimit të organizatës “Close the Consent Gap”, 16-vjeçarët nuk do të mund të kenë marrëdhënie seksuale me persona më të vjetër se 19 vjeç, ndërsa 17-vjeçarët me persona mbi 20 vjeç.
Aktualisht, sipas ligjit në Mbretërinë e Bashkuar, mosha e pëlqimit seksual është 16 vjeç dhe të rriturit e çdo moshe mund të kenë ligjërisht marrëdhënie seksuale me persona 16 dhe 17 vjeç.
Ndërkohë, sekretari McFadden ka përmendur edhe rastin e komedianit David Walliams, ndaj të cilit policia ka nisur një hetim lidhur me raportimet për vepra të rënda të dyshuara seksuale. Walliams ka mohuar akuzat për sjellje kriminale dhe abuzim me vajza të reja.
McFadden tha se rastet e Russell Brand dhe David Walliams kanë bërë që shoqëria t'i shohë këto çështje në një këndvështrim të ri.
Ai nuk ka dhënë ndonjë përfundim se si mund të ndryshojë ligji, por ka konfirmuar se çështja e moshës së diferencuar të pëlqimit seksual do të diskutohet.