Bashkëshorti i motrës së Britney Spearsit e ka thyer heshtjen pasi këngëtarja e hitit “Toxic” ka dëshmuar para trupit gjykues kundër babait dhe tërë familjes, të mërkurën më 23 qershor.
Jamie Watson, bashkëshorti i Jamie Lynnit për shtatë vjet, ka thënë për “New York Post” të premten se familja ia do më të mirën Britneyt – pavarësisht deklaratës së saj në seancë, ku ka thënë: “Sinqerisht dua ta akuzoj familjen time”.
Gjatë deklaratës së saj 23-minutëshe në një gjykatë në Los Angeles, Britney ka thënë se familja nuk kanë bërë asgjë për t’i ndihmuar për kujdestarinë “abuzive” të babait të saj, Jamie Spears, gjatë 13 vjetëve.
Watson e ka mbrojtur tërë familjen duke folur në emrin e tyre.
“Mund t’ju siguroj se familja e saj e do shumë dhe ia do më të mirën”, ka thënë ai. “Nuk do të isha në mesin e tyre po të mos ishin të tillë. Kush nuk do ta mbështeste Britneyn?”
Edhe
Motra e vogël e Britney Spearsit, Jamie Lynn vjen me një rrëfim personal
Deklarata e tij ishte shumë ndryshe nga deklarata e Britneyt, ku tha se familja e saj nuk ka reaguar për gjendjen e saj të mjerueshme dhe madje i ka akuzuar që kanë përfituar nga ajo.
Ajo ka deklaruar se babai i saj e ka detyruar që të shkojë në terapi dhe në rehabilitim, madje e ka detyruar të punojë kundër dëshirës së saj. Sipas saj, ai ia ka marrë kartelën e bankës, pasaportën dhe paratë dhe e ka detyruar të jetojë në mbikëqyrje 24-7.
Ajo po ashtu ka thënë se do ta padisë familjen e saj.
Ndonëse fjala “familje” është gjithëpërfshirëse, nuk e ka bërë të qartë nëse do të përfshihen motra e saj Jamie Lynn, vëllai Bryan apo Watson apo e kishte të bënte vetëm me nënën e saj Lynne dhe babanë.
Edhe
Babai i Britney Spears paraqitet zyrtarisht në gjykatë për t'i dhënë fund kujdestarisë
Ylli i serialit “Zoey 101”, Jamie Lynn, ka folur së fundmi për shëndetin mendor të motrës së saj. “Nuk keni të drejtë të flisni për motrën time dhe unë nuk kam të drejtë të flas për shëndetin e saj dhe çështjet personale”, ka thënë ajo.
Mirëpo, Britney e ka akuzuar familjen e saj se kanë përfituar nga kujdestaria, madje në një moment ka thënë se kushdo i përfshirë në kujdestari duhet të hyjë në burg.