Një grua franceze që besonte se ishte në lidhje të gjatë romantike me aktorin Brad Pitt dhe që kishte paguar 830 mijë euro për t’i ndihmuar për trajtim mjekësor, u përball me shumë tallje online sa që një program televiziv për të u detyrua të tërhiqej nga transmetimi.
Gruaja 53-vjeçare, e quajtur Anne, është përballur me valë talljesh në internet pas një interviste që dha në programin “Seven to Eight” të kanalit TF1 të dielën.
Ajo ka treguar për lidhjen online që kishte menduar se ishte me Brad Pittin, duke besuar se ata ishin të dashuruar.
Kur iu tha se aktori kishte nevojë për ndihmë financiare për trajtimin e kancerit pasi llogaritë e tij ishin bllokuar gjatë procesit të divorcit nga Angelina Jolie, Anne transferoi paratë.
Ajo e kuptoi se kishte rënë pre e mashtrimit vetëm kur aktori u shfaq në media gjatë verës së kaluar me partneren Inés de Ramon.
“Pyes veten pse më zgjodhën mua për t’i bërë një dëm të tillë. Nuk i kam bërë dëme askujt. Këta njerëz meritojnë ferrin”, ka thënë Anne në intervistën e saj.
Programi televiziv, pas shpërndarjes virale të intervistës, ka shkaktuar një valë shakash online mbi besueshmërinë e Anneit, duke bërë që kanali TF1 të tërheqë programin nga shërbimet e tij të ritransmetimit në internet të martën.
TF1ka deklaruar se Anne kishte përjetuar vështirësi të shëndetit mendor dhe kishte pasur depresion të thellë, duke shtuar se ishte hospitalizuar për trajtim.
“Për mbrojtjen e viktimave, kemi vendosur të tërheqim [segmentin] nga platformat tona”, ka shkruar në rrjete sociale prezantuesi i TF1, Harry Roselmack.
Një nga llogaritë e mediave sociale që talli Anne ishte klubi i futbollit Toulouse.
“Brad na tha se do të ishte në stadium të mërkurën”, ka shkruar klubi në rrjetin social “X për ndeshjen e ardhshme të ekipit, para se të tërhiqte mesazhin dhe të postonte një kërkimfalje.
Edhe paltforma “Netflix France” ka postuar në mediat sociale duke promovuar “katër filma për të parë me Brad Pitt (real) falas”.

Mashtrimi kishte nisur në muajin shkurt të vitit 2023, kur Anne, e cila kishte qenë e martuar me një ndërmarrës të pasur, iu bashkua Instagramit për të publikuar foto nga një pushim në Alpet Franceze.
Pas kthimit, ajo u kontaktua në rrjetin social nga dikush që pretendonte të ishte Jane Pitt, nëna e aktorit, e cila filloi të bisedonte me të dhe i tha se ajo do të ishte një përputhje e mirë për djalin e saj. Më pas, një llogari tjetër e kontaktoi duke thënë se ishte vetë aktori.
“Nëna ime më foli për ty. Do të doja të dija më shumë për ty, por do të doja të dija nëse punon në media pasi jam i rezervuar për jetën time private”, i kishte shkruar mashtruesi Annes.
Anne, e cila pati thënë se nuk i kuptonte shumë rrjetet sociale, kaloi një vit e gjysmë duke komunikuar me personin që ajo mendonte se ishte Pitti.
Ky person përdorte llogari false në media sociale dhe WhatsApp, si dhe teknologji të krijimit të imazheve me inteligjencë artificiale për t’i dërguar asaj imazhe që dukej se ishin selfie dhe mesazhe të tjera, përfshirë poezi dhe këngë, si dhe një kopje të pasaportës së Pitt.
Ajo ka thënë se ai ishte vërtet i interesuar për punën e saj dhe ata komunikonin çdo ditë.
“Isha e dashuruar me burrin që po bisedoja. Ai dinte si të fliste me një grua”, ka thënë ajo.
Mes asaj që Anne diskutoi me personin që pretendonte se ishte Pitti, ishte dhe shuma e madhe e ndihmës financiare që ajo kishte marrë si pjesë të shpërblimit të divorcit.
Ajo më pas pranonte foto të gjeneruara nga AI të aktorit, duke pretenduar se ai ishte në spital dhe duke kërkuar para për trajtimin e tij të veshkave.
Ajo transferoi qindra mijëra euro për shpenzimet e supozuara mjekësore.
Përfundimisht, Anne ka paraqitur një ankese në polici për mashtrimin.