Ylli i hitit “Thinking Out Loud”, Ed Sheeran, e ka bërë të ditur lajmin e ardhjes në jetë të vajzës së tij, Lyra Antarctica Seaborn Sheeran, të cilën e ka me bashkëshorten Cherry Seaborn.
Ky është fëmija i parë i çiftit, që kryesisht njihet për ruajtjen e privatësisë së tyre, transmeton Koha.
“Ello! Një mesazh i shpejtë nga unë pasi e kam një lajm personal për ta ndarë me të gjithë ju… Javën e kaluar, me ndihmën e një ekipi të mrekullueshëm, Cherry e solli në jetë vajzën tonë të bukur dhe të shëndoshë, Lyra Antarctica Seaborn Sheeran. Ne jemi tërësisht të dashuruar me të. Nëna dhe foshnja janë në gjendje të mirë shëndetësore, dhe që të gjithë po ndihemi shumë të lumtur. Shpresojmë se do të mund ta respektoni privatësinë tonë në këtë kohë. Shumë dashuri nga unë dhe do të shihemi së bashku kur të jetë koha e duhur për t’iu rikthyer punës”, kishte shkruar Sheeran në postimin e tij të fundit në Instagram.
Ndërkaq, lajmi për shtatzëninë e parë të çiftit ishte bërë i ditur tek muajin e kaluar.
Besohet se Cherry kishte arritur ta fshehë mirë nga bota barkun e saj të fryrë, falë pandemisë së koronavirusit pasi nuk është detyruar të dalë shumë nga shtëpia e tyre në Suffolk.
Edhe pse ylli i hitit “Castle on the Hill” është një prej muzikantëve më të mëdhenj në botë, ai do të ketë kohë të mjaftueshme për të kaluar me familjen e tij të dashur, pasi aktualisht ai është tërhequr përkohësisht nga muzika.