Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Dominim absolut i “Toy Stories 4”

“Toy Story” dhe popullariteti në kinema (apo tek shikuesit) janë dy gjëra të pandashme. Vazhdimi i “Toy Story 4” nga studio Disney-Pixar javën e vet të dytë në kinema ende e mban fort vendin e parë sipas shikueshmërisë dhe nuk u ka lëshuar rrugën filmave të rinj si “Annabelle 3” (i cili e ka zënë vendin e dytë) dhe “Yesterday” (vendin e tretë).

Franshiza e popullarizuar e animuar në kinema kishte filluar 11 ditë më parë, ndërsa në fundjavën e parë në SHBA i ka fituar madje 118 milionë dollarë, dhe në pjesën tjetër të botës rreth 120 milionë. Ky start e vuri atë në krye të profiteve në franshizë në fundjavën e parë të shfaqjes dhe atëherë u parashikua se në Shtetet e Bashkuara do t’i fitonte madje 400 milionë dollarë dhe tani është në rrugë të mirë për ta arritur këtë.

Në javën e dytë të shfaqjes “Toy Story 4” ende e mban vendin e parë në të gjithë botën, tani me të ardhura totale prej rreth 500 milionë dollarësh: rreth 236 milionë në SHBA dhe 259 milionë në pjesën tjetër të botës (gjithsej 496 milionë dollarë), shkruan KOHA Ditore.

Image

“Toy Story” i ka fituar zemrat e shikuesve të vegjël dhe të mëdhenj që nga viti 1995, ndërsa në vazhdimin e ri Woody dhe ekipi i tij shkojnë në një tjetër aventurë të madhe në të cilën do t’i mësojnë disa mësime rreth miqësisë, të gjithë këto me shumë humor të mirënjohur. E gjitha fillon kur ekipit të lodrave i bashkohet lodra e re Forky, ndërsa ekipi niset në një aventurë të re në të cilën do të mësojë se bota është me të vërtetë e madhe kur je lodër.