Showbiz

Dëshmitarja: Diddy më kërcënoi duke më mbajtur varur në ballkonin e katit të 17-të

Sean "Diddy" Combs

Sean "Diddy" Combs

Foto: Associated Press

Disenjatorja grafike Bryana Bongolan ka dëshmuar në gjykatë se reperi Sean “Diddy” Combs e kishte kërcënuar duke e varur në ballkonin e një apartamenti në katin e 17-të, dhe se e kishte parë gjithashtu teksa ai e kishte hedhur një thikë në drejtim të shoqes së saj, këngëtares Casandra Ventura, e njohur si Cassie, ka raportuar BBC.

Të mërkurën në gjyqin ndaj Combsit, prokurorët paraqitën para jurisë fotografi të bëra nga vetë Bongolan dhe ish- e dashura e saj, ku dukeshin mavijosjet që, sipas saj, ishin rezultat i incidentit të ndodhur në vitin 2016.

Avokatët e Combsit u përpoqën ta vënë në dyshim besueshmërinë e Bongolanes me pyetje të ashpra në sallën e gjyqit, ku ajo shpeshherë përgjigjej se nuk e mbante mend çfarë kishte thënë më herët para autoriteteve.

Combs përballet me akuza të rënda për veprimtari kriminale në grup, konspiracion dhe trafikim seksual. Ai është deklaruar i pafajshëm.

Gjykimi federal është tashmë në javën e katërt dhe vjen pas një serie padish civile nga burra dhe gra që e akuzojnë për abuzim, përfshirë edhe vetë Venturan dhe Bongolan.

Bongolan ka thënë në gjykatë se e kishte njohur Venturan në vitin 2014 kur punonte për markën “Young and Reckless”. Më vonë, si disenjatore kryesore për linjën e grave në brendin “Diamond Supply Co.”, ajo u caktua të punonte me Venturan për një koleksion dhe u bënë shoqe të ngushta.

Ajo ka dëshmuar se kishin përdorur shpesh bashkë drogë si kokainë, ketaminë dhe marihuanë, dhe se në disa raste kishte blerë drogë për Venturan, e cila, sipas saj, i paguante. Bongolan ka pranuar se të dyja kishin probleme me përdorimin e substancave, por ka shtuar se nuk përdor më.

Gjatë kësaj kohe, Bongolan ka thënë se kishte vënë re te Ventura shenja të dhunës nga Combs.

“E pashë njëherë Cassien me sy të nxirë, kur po bisedonim me aplikacionin FaceTime”, ka dëshmuar ajo. Ajo ka shtuar se Combs shpesh trokiste me forcë natën në derën e apartamentit të Venturas.

Incidenti në ballkon

Bongolan e ka përshkruar ngjarjen e frikshme që sipas saj ka ndodhur në muajin shtator të vitit 2016. Ajo ka theksuar se ishte duke fjetur në divan me të dashurën e saj në apartamentin e Venturas kur dëgjoi trokitje të dhunshme në derë. Ajo tutje ka thënë se e ka fshehur të dashurën në banjo dhe ka dolë në ballkon, kur Combs hyri me forcë në apartament.

“Më kapi, më ngriti dhe më vendosi në buzë të ballkonit. Më bërtiste vazhdimisht: ‘E di ti shumë mirë çfarë ke bërë’, pastaj më hodhi në një ulëse në ballkon”, ka thënë ajo në gjyq.

Prokurorët shfaqën para jurisë fotografi të një plage si shenjë shpimi dhe mavijosje në këmbën e saj, të shoqëruara me të dhëna që tregonin datën kur ishin bërë fotografitë. Bongolan ka shtuar se pas asaj nate kishte pësuar ankth të rëndë dhe makthe.

Në një tjetër incident që e ka përshkruar ajo, Combs kishte hyrë me dhunë në apartamentin e Venturas dhe, sipas Bongolan, ai e ka gjuajtur me thikë Venturan, e cila ia ka kthyer duke e gjuajtur mbrapsht. Asnjëri nuk u lëndua.

Gjatë një fotosesioni në Malibu, Bongolan ka dëshmuar se Combs iu afrua shumë dhe i ka thënë se “unë jam djalli dhe mund të të vras”.

“Isha e tmerruar”, ka thënë ajo në sallën e gjyqit.

Bogolan u morr në pyetje në mënyrë të ashpër nga mbrojtja e Combsit

Gjatë pyetjeve të avokates së Combsit, Nicole Westmoreland, Bongolan u përball me presion të madh për të sqaruar mospërputhjet me dëshmitë e saj të mëparshme.

Avokatja e pyeti disa herë për incidentin në ballkon dhe atë në Malibu, duke e akuzuar se nuk po qëndronte në versionin që kishte dhënë në takimet me prokurorët. Bongolan shpesh përgjigjej se “nuk e mbante mend” ose se “nuk kujtonte detaje”, madje edhe për biseda të zhvilluara vetëm dy ditë para dëshmisë.

Dëshmia e Cassiet dy javë ishte përputhur me atë të Bongolan. “E pashë kur e solli përsëri brenda nga ballkoni dhe pastaj e hodhi mbi mobiliet e ballkonit”, kishte thënë Ventura në sallën e gjyqit.

Të mërkurën, në gjykatë ka dëshmuar edhe eksperti i videove, Frank Piazza, i cili ka analizuar pamjet e njohura si “videoja e Cassiet”, ku shihet Combs teksa dhunon Venturan në një korridor hoteli në vitin 2016. Ai siguroi jurinë se videoja nuk ishte manipuluar dhe përfaqësonte me saktësi atë që kishte ndodhur.

Bryana Bongolan pritet të kthehet përsëri në bankën e dëshmitarëve të enjten (sot), ndërsa më pas pritet të dëshmojë një tjetër grua e njohur vetëm si “Jane”, dëshmi kjo që pritet të zgjasë disa ditë.